Në kuadër të bashkëpunimit institucional me Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike falas nga shteti, institucioni i Avokatit të Popullit bën me dije rastet e paraqitura pranë tij në lidhje me pamundësinë ekonomike dhe financiare të ankuesve për të zgjedhur privatisht një avokat me qëllim përfaqësimin në Gjykatë.

Sipas AP, gjatë vitit 2017, në institucionin e Avokatit të Popullit, kanë ardhur gjithsej 28 kërkesa nga shtetas të ndryshëm të cilët kanë kërkuar ndihmë juridike falas nga shteti, të cilët i janë dërguar për kompetencë shqyrtimi Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike në Ministrinë e Drejtësisë. Nga ky Komision, këto kërkesa janë shqyrtuar rast pas rasti dhe janë njoftuar ankuesit mbi nevojën e plotësimit të disa dokumenteve shtesë, siç janë plotësimi i formularit përkatës, dërgimi i fotokopjes së kartës së identitetit, etj.

Për shkak të problemeve në zbatimin e këtij ligji, disa mangësive në legjislacion për sa i përket shmangies së pengimit të aksesit në gjykata (në drejtësi) të personave që janë në vështirësi ekonomike të cilët nuk përballojnë dot shpenzimet gjyqësore, si dhe me qëllim garantimin e një aksesi të shpejtë, të drejtë dhe të rregullt në drejtësi, gjatë vitit 2017 nisi procesi i hartimit të një ligji në përputhje me standardet evropiane në këtë fushë.

Gjatë këtij procesi, institucioni i Avokatit të Popullit ka dhënë mendime konkrete për përmirësimin e tij, të cilat kanë gjetur pasqyrim në dispozitat ligjore të ligjit Nr.111/2017 “Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”, të miratuar më datë 14.12.2017 nga Kuvendi i Shqipërisë.

AP bën me dije se, do të vijojë me ndjekjen e zbatimit të këtij ligji, për të cilin nuk ka ende buxhetimin përkatës.

Çështjet që lidhen me ofrimin e ndihmës juridike falas nga shteti, të shtetasve në nevojë dhe që nuk kanë mundësi ekonomike dhe financiare për të zgjedhur vet një avokat mbrojtës privat, kur ato kanë probleme me organet gjyqësore, kanë qenë të rregulluara me ligjin nr.10039, datë 22.12.2008, “Për Ndihmën Juridike”. Bazuar në dispozitat e këtij ligji, është krijuar dhe ka funksionuar Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike pranë Ministrisës së Drejtësisë, i cili rast pas rasti ka shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me kriteret e dhënies së kësaj ndihme ligjore falas nga shteti.

Ligji
Sipas ligjit të ri janë disa kushte që duhet të përmbushen për të përfituar ndihmën juridike falas ku shumica lidhet me gjendjen ekonomike të personave të përfshirë në çështje:

a) të kenë një çështje civile ose administrative;
b) Të ardhurat mujore të personit të jenë nën pagën minimale, ose personi nuk është në marrëdhënie pune ose është ne pension;
c) Të ardhurat totale të familjes nuk kalojnë më shumë se 500 000 lekë në vit;
d) personi dhe familja që kërkon shërbimin ligjor nuk disponon pasuri të tjera përveç banesës në të cilën jetojnë.
dh) si dhe çdo rrethanë tjetër që e vendos personin në kushte pamundësie, për të siguruar privatisht një nga shërbimet e ndihmës juridike.
Si caktohet pagesa

Pagesa që bëhet nga buxheti ndaj atyre që bëhen pjesë e shërbimit të ndihmës juridike përcaktohet në bashkëpunim me disa palë të përfshira. Sipas draft ligjit të fundit për ndihmën juridike Drejtoria e kësaj ndihme në bashkëpunim dhe me Dhomën Kombëtare të Avokatisë përcaktojnë në bazë të vendimit të gjykatës, llojin e shërbimit, kushtet dhe orët e punës. Tarifa minimale e një avokati për çdo lloj ndihme juridike parësore është 5000 lek kurse tarifa minimale e një Avokati për çdo lloj ndihme juridike dytësore është 40 000 lek për secilën shkallë gjyqësore në të cilën çështja do të shqyrtohet. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb