TIRANE- Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim mbi zbatimin e procedurave ligjore për prishjen e banesave, që preken nga ndërtimi i Unazës së Re, në Selitë, pas ankesave të disa familjeve rome.

Në një deklaratë për mediat, Avokati i Popullti sqaron se 9 familje të komunitetit romë kanë ngritur pretendimin se janë njoftuar vetëm verbalisht nga ana e punonjësve të IKMT-së, për prishjen e banesave të tyre dhe nuk kanë marrë asnjë vendim të shkruar me afate konkrete për t’u larguar nga shtëpitë.

Përfaqësuesit e këtyre familjeve ngrenë pretendimin se disponojnë dokumentacion, i cili vërteton se banesat e tyre janë ndërtime ekzistuese, para gushtit të vitit 1991.

Sipas VKM nr. 608 dt.05.09.2012, juridiksionin dhe kompetencën për kalimin e pronësisë së banesës dhe trojeve funksionale tek këto familje, ligji ja njeh organeve të qeverisjes vendore, ku ndodhet objekti përkatës, konkretisht Bashkisë së Tiranës.

“Në hetimin e kësaj çështje, Avokati i Popullit ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga ana e familjeve të komunitetit rome që vërteton se banesat e tyre janë objekte ekzistuese të para vitit 1991. Gjithashtu, po hetohet edhe në lidhje me fillimin e procedurës administrative nga ana e Bashkisë Tiranë për trajtimin e cështjes së këtyre familjeve në bazë të VKM nr. 608 dt. 05. 09.2012. Avokati i Popullit ka kërkuar edhe nga ana e IKMT-së vënien në dispozicion të praktikës dokumentare administrative që lidhet me njoftimet verbale të dërguara këtyre familjeve pak ditë më parë.

Në rast se vërtetohet që: objektet e këtyre familjeve janë të ndërtuara para gushtit të vitit 1991 dhe janë në kushtet e parashikuara në VKM 608, dt. 05. 09.2012; si dhe Bashkia e Tiranës ka filluar procedurë përkatëse për këto raste; atëherë çdo vendim i nxjerrë nga ana e ALUIZNI-t për përjashtim nga procesi i legalizimit për këto raste është i kundraligjshëm, sikurse edhe çdo praktikë administrative e filluar nga IKMT është gjithashtu e paligjshme.

I bëjmë thirrje organeve përkatëse të administratës publike të bëjnë kujdes në trajtimin e çështjes së këtyre 9 familjeve rome, që preken nga ndërtimi i Unazës së re në Selitë, me qëllim që të kemi respektim të plotë të procedurave ligjore të ndjekura, në funksion të të drejtave që gëzojnë këto familje”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Ekspert i Avokatit të Popullit, Alket Jaupi, ishte sot në Selitë ku u takua me një përfaqësi të familjeve rome, të cilët kanë drejtuar ankesat pranë institucionit të Avokatit të Popullit.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb