TIRANE- Avokati i Popullit ka nisur me iniciativë hetimin administrativ për pezullimin nga detyra të 131 punonjësve të Drejtorisë së Burgjeve. Me këtë rast Avokati i Popullit i ka dërguar një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe për dijeni kërkesa i është dërguar edhe ministrit të Drejtësisë.

Në shkresën e AP kërkohet një informacion i hollësishëm lidhur me numrin e punonjësve të larguar nga puna për këtë rast; motivacionin e përdorur nga ana e Drejtorisë së Burgjeve për zgjidhje të marrëdhënieve të punës si dhe baza ligjore ku është referuar largimi nga puna.
“Gjithashtu, lutemi na përcillni bashkëngjitur një kopje të urdhrave të largimit nga puna si dhe çdo dokumentacionin tjetër që provon shkaqet ligjore për zgjidhje të marrëdhënieve të punës”, thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit.

KËRKESA E PLOTË E AVOKATIT TË POPULLIT DREJTUAR DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË BURGJEVE, ARTUR ZOTO:

I nderuar Z. Drejtor,

Institucioni i Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 60 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me Ligjin 8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, po vijon monitorimet lidhur me rastet largimeve nga puna të punonjësve nga organet e Administratës Publike.

Së fundi, nga media e shkruar jemi vënë në dijeni lidhur me pezullimin nga detyra të 131 punonjësve të Drejtorisë së Burgjeve për shkak të mospagesës së energjisë elektrike.

Lidhur me këtë rast sipas mediave të shkruara është arsyetuar fakti se: “Nga verifikimet e kryera në të gjithë personelin e burgjeve në Shqipëri, në raport me pagesën e energjisë elektrike është vënë re se rreth 650 punonjës të policisë së burgjeve nuk kanë paguar rregullisht energjinë elektrike, duke shkelur në këtë mënyrë Kodin Penal. Për të mos rrezikuar në asnjë moment sigurinë në burgje , është urdhëruar lirimi nga detyra fillimisht i 131 punonjësve, të cilët rezultonin se ishin debitorët më të mëdhenj, në një periudhë mospagimi deri në 13 vjet……”
Për sa më sipër, Institucioni i Avokatit të Popullit në përmbushje të misionit të tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individit, kërkon nga ana juaj të na përcillni një informacion të hollësishëm lidhur me:
-Numrin e punonjësve të larguar nga puna për këtë rast.
-Motivacionin e përdorur nga ana juaj për zgjidhje të marrëdhënieve të punës si dhe baza ligjor të cilës i jeni referuar nëse ka raste të tilla.
-Gjithashtu, lutemi na përcillni bashkëngjitur një kopje të urdhrave të largimit nga puna si dhe çdo dokumentacionin tjetër që provon shkaqet ligjore për zgjidhje të marrëdhënieve të punës.

Kërkesën për këtë informacion e mbështesim në Nenin 63 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet se: “Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar ti paraqesin Avokatit të Popullit të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij” si dhe në Nenin 19 germa “b” të Ligjit Nr. 8454 datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në të cilën thuhet se: “Avokati i Popullit ka të drejtë: b) të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore, si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin”.

Në mbështetje të nenit 51 të Kodit të Procedurës Administrative përgjigjen për sa ju kemi kërkuar në këtë shkresë, duhet të na e dërgoni brenda afatit 10 ditor nga dita e marrjes së saj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb