I ftuar në emisionin “Open” në News24, avokati Dorjan Matlija, ka diskutuar në lidhje me hartën e re të gjyqësorit.

Avokati është shprehur se qeveria është duke mos kuptuar forcën e avokatëve për ta bërë te reflektojë në lidhje me vendime të tilla.

“Është një vendim i Komitetit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ishte paralajmëruar edhe më parë.

Shqetësohem nga deklarata e ministrit se nuk e ka idenë se çfarë gjëje po i shkon drejt, nuk e kupton forcën e avokatëve për të bërë qeverinë të reflektojë.

Nëse do të ishte thirrje nga disa avokatë nuk kishte mbështetje, dhoma bëri thirrje dhe pati reagim të të gjithë avokatëve”, është shprehur ai.

Matlija është shprehur se pas një vendimi të tillë qëndron synimi për të fshehur dështimin e reformës në drejtësi.

Ai shtoi se duhen dekada që të mbushen vendet që la bosh kjo reformë, ndaj edhe po tentohet mbledhja e gjyqtarëve në më pak gjykata.

“Nga një anë është aksesi dhe nga ana tjetër një gjykatë shumë efikase. Nuk është se në Europë ka një standard fiks, nuk është një kostum që i bën të tërëve sepse secili ka specifikat e saj.

Në Europë është një Gjykatë e Shkallës së parë për 25 mijë banorë. Ky është standarti. Shqipëria kishte një gjykatë për 95 mijë, ndërsa tani një gjykatë për 175 mijë njerëz.

Europa po tenton të zvogëlojë numrin e gjykatave sepse popullsia shkon drejtë qyteteve, por infrastruktura jonë nuk lejon që të bëhet e njëjta gjë, sepse janë orë të tëra që të arrijë qytetari në gjykatë.

Nuk kemi mundësi për shembull të bëjmë gjyq me videokonferencë. Qytetarët sot do të ikin për një gjobë qindra kilometra larg, ndërsa për Apelin do të dynden të gjithë në Tiranë.

Kjo po bëhet jo për tu afruar me standardet, por sepse dështoi reforma në drejtësi e cila ngordhi sistemin,hoqi 400-500 gjyqtarë e prokurorë nga sistemi. Duhen dekada për të mbushur këto vende bosh dhe hajde të bëjmë këtë gjë që të duket se kemi një sistem të suksesshëm”, është shprehur ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb