NGA DARINA TANUSHI
TIRANE
-Qeveria shqiptare do t’i japë 495 mijë euro firmës ligjore të bashkëshortes së ish-kryeministrit britanik Tony Blair, Cherie Blair (“Omnia Strategy”), për përfaqësimin në arbitrazh ndërkombëtar të Shqipërisë. Tashmë shifra është bërë fakt, me botimin edhe në Fletoren Zyrtare të vendimit që është marrë në datën 11 mars nga qeveria shqiptare. Në këtë vendim, qeveria ngarkon Ministrinë e Financave që në buxhetin e miratuar për vitin 2015, në programin “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme”, në kategorinë e shpenzimeve korrente, t’i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 495 000 (katërqind e nëntëdhjetë e pesë mijë) eurosh, për kryerjen e pagesave të tarifave të avokatëve në çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar IÇ nr. 20447/MHM S2 Albania sh.p.k. dhe Rapiscan Systems Inc. kundër Republikës së Shqipërisë.

Tashmë në media është botuar edhe fakti tjetër, që ajo që do ta marrë këtë shumë është pikërisht firma ligjore e Cherie Blair. Sipas agjencisë BIRN, e cila ka pyetur Endri Fugën, Drejtorin e Komunikimit të kryeministrit Edi Rama, qeveria shqiptare nuk kishte vlerësuar kompaninë “Omnia Strategy” si entitet, por avokatët e saj në veçanti. “Në datën e ftesës për negociata, secili nga avokatët individualë të prezantuar në ofertën e ‘Omnia Strategy’, kishte deri në 35 vjet eksperiencë”, – ka thënë Fuga. Cherie Blair ishte në datën 11 mars në Tiranë, ku zhvilloi një sërë takimesh. Ndërkaq, bashkëshorti i saj, ish-kryeministri britanik Tony Blair u zgjodh që në nisje të punës së Edi Ramës në qeveri si këshilltar i tij. Madje, kryeministri tha se Tony Blair do t’i japë këto këshilla falas.

HISTORIKU
Me ardhjen në krye të qeverisë, kryeministri Edi Rama vendosi të anulojë kontratën që “Rapiscan Systems” kishte bërë me qeverinë e mëparshme në prill të vitit 2013, një kontratë 15-vjeçare kjo, për të ndihmuar Shqipërinë në forcimin e kufijve dhe ndalimin e trafikut të drogës, duhanit dhe armëve, si dhe atë të qenieve njerëzore. Rapiscan hodhi Shqipërinë në gjyq në gusht 2014, duke kërkuar nga Shqipëria 250 milionë paund, përmes një çështjeje të ngritur në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë, një gjykatë me bazë në Vjenë. Ndaj, qeveria “Rama” vendosi që të kërkojë ndihmën e avokatëve më të mirë për ta ankimuar këtë çështje.

Në 10 tetor 2014, avokatura e shtetit publikoi një ftesë për negociata me avokatë apo studio avokate, që do ta përfaqësonin Shqipërinë në një gjyq që mund t’i kushtojë vendit tonë deri në 359 milionë dollarë, publikoi BIRN. Në kriteret e veçanta, avokatura e shtetit kërkon që avokati apo zyra e avokatisë e përzgjedhur të ketë jo më pak se pesë vjet eksperiencë pune, të provojë se ka përvojë në përfaqësimin në arbitrazh ndërkombëtar sipas rregullave të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, si dhe të jetë në gjendje të tregojë dy raste të mëparshme suksesi në fushën e kontratave koncesionare. Mirëpo, “Omnia Strategy LLP” nuk i përmbush të gjitha këto kritere, sepse është regjistruar si studio ligjore në vitin 2011 dhe në kohën kur është bërë thirrja nuk kishte pesë vjet eksperiencë pune.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: