BRUKSEL– Fundi i qarkullimit të lirë në hapësirën Shngen, rrezikuar nga kriza migratore, do të shënonte fillimin e fundit të projektit evropian, paralajmëroi sot komisioneri evropian, Dimitris Avramopoulos, i ngarkuar me imigracionin.

Nëse BE-ja nuk tregon unitet, ajo rrezikon ta kthejë Evropën në të kaluarën e saj të errët”, theksoi ai para eurodeputetëve në Bruksel duke shprehur keqardhje për aplikimin, që vazhdon të jetë i ngadaltë, të planit për shpërndarjen e refugjatëve të mbërritur në Itali dhe në Greqi.

Përballë një situate, shpeshherë, të pakontrollueshme, disa shtete anëtare kanë rikthyer kontrollet e përkohshme në kufijtë e tyre këto muajt e fundit, brenda një hapësire Shengen ku qarkullimi i lirë është normalisht rregulli.

“Nëse Shengeni shpërbëhet, ju them se si e mendoj këtë, ky do të jetë fillimi i fundit të projektit evropian”, deklaroi Avramopoulos, për të cilin qarkullimi i lirë është arritja më e madhe e integrimit evropian.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për migracionin dhe sigurinë, nëse kufijtë janë të mbyllur, ekonomia është në rrezik, ekonomia është e kërcënuar”, shtoi ai.

Për të ruajtur këto përfitime, ai u kërkoi shteteve anëtare të aplikojnë plotësisht masat e marra këto muajt e fundit dhe veçanërisht planin e ashtuquajtur “rilokalizimi” në BE i refugjatëve të mbërritur në Itali dhe në Greqi.

“Rilokalizimi nuk funksionoi, ju e keni thënë këtë dhe e konfirmoj”, theksoi Avramopoulos përballë eurodeputetëve.

“U bëj thirrje shteteve anëtare të bashkëpunojnë më shumë”, shtoi ai.

“Nëse shtetet anëtare janë të burgosura në programin e tyre të politikës kombëtare, ne do të dështojmë”, theksoi komisioneri evropian.

“Nuk ka alternativë tjetër, nëse nuk avancojmë si një union duke përmbushur procesin e integrimit evropian, ne e kthejmë Evropën në të kaluarën e saj të errët”, theksoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: