Deputetja Rudina Hajdari ka falënderuar Kongresmenin amerikan, Eliot Engel, i cili nderoi ditën e sotme figurën e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, teksa ishte në Tropojë së bashku me Presidentin Ilir Meta.

Duke shmangur Kreun e Shtetit, me të cilin kohët e fundit është përplasur në distancë, Hajdari i ka përcjellë një urim të veçantë Kongresmenit Engel, duke e cilësuar atë një mik të çmuar të kombit shqiptar.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, deputetja sjell në vëmendje fjalët e Engel, i cili tha se “miqësia mes popullit amerikan dhe atij shqiptar do të jetë e përjetshme”.

“Një falenderim të veçantë për Kongresmenin Eliot L. Engel që nderoi sot figurën e Azem Hajdarit dhe kontributin e tij sublim për një Shqipëri Demokratike dhe Evropiane. Kongresmeni Engel është një mik i çmuar për kombin tonë dhe për të gjithë Shqiptarët kudo që ndodhen.

Ashtu sikurse Engel u shpreh: “miqësia mes popullit amerikan dhe atij shqiptar do të jetë e përjetshme. SHBA, Shqipëria dhe Kosova qëndrojnë bashkë si aleatë përkrahë lirisë e demokracisë”!”, shkruan Rudina Hajdari.

Kujtojmë që po gjatë ditës së sotme, Hajdari i dërgoi një mesazh Ilir Metës, në të cilin i shkruante: “Zoti President dhe zoti Besnik Dushaj, kur të jeni sot para bustit të tim ati në Tropojë, duke u hequr si pro-Amerikan të thekur, mos harroni t’i thoni tim ati që fëmijët e tu nuk janë këtu se kështu urdhëroi Partia. Mua më ndaluat të vij në Tropojë, por në Kosovë jo. Rrugë të mbarë”, shkruan Hajdari.

Hajdari
Hajdari

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb