Ben Blushi në një status në Facebook ka zbuluar edhe një bisedë të tij të realizuar me Nikollë Lesin.

Blushi është shprehur se biseda e bërë publike nga ana e tij është marrë nga Libri që ai ka realizuar “41 sekrete”

BISEDA: 

Nikollë Lesi jeton gjithë kohën me Kohën. Domethënë me gazetën “Koha Jonë”. Dhe kujtimet e saj. Prandaj është e kotë ta pyesësh për diçka tjetër, sepse nuk ka interes dhe ikën nga tavolina. Sa herë do të largohet, thotë: kam takim me OSBE-në.
Nikollë, kur jemi njohur bashkë?
Në vitin 1992, tha Nikolla.
Po ti pse erdhe në Tiranë nga Lezha?
Filluam të botonim gazetën “Koha Jonë”.
E mbaj mend ku ishte redaksia e “Koha Jonë”, në një shtëpi të vjetër, thashë unë.
Ishte një dhomë e një kuzhinë te rruga “Siri Kodra”, tha Nikolla.
Aty kam takuar për herë të parë Azem Hajdarin, thashë unë.
E di atë histori, tha Nikolla.
Nuk e di mirë, thashë unë.
Ma ka treguar Azemi, tha Nikolla, ai qeshte sa herë i kujtohej.
Azemi na gjeti një ditë të diel në zyrat e gazetës duke pirë dhe duke kërcyer, thashë unë.
E di, tha Nikolla, dhe këtë e quajti degjenerim dhe u largua nga gazeta në shenjë proteste.
Azemi desh na shqeu derën, sepse ne nuk donim t’ia hapnim, ishim në qejfin tonë, thashë unë.
Lëre, tha Nikolla, Azemi ulërinte dhe thoshte: gazetarët bëjnë qejf me vajza nëpër zyra.
Nuk ka parë gjë, thashë unë, sepse nuk e lashë të futej brenda dhe ai u tërbua.
Mirë Azemi, por u ankuan dhe komshinjtë, tha Nikolla, prandaj e çova gazetën në një vend tjetër.
Ti kishe një shprehje atëherë që nuk e harroj, thashë unë.
Çfarë, tha Nikolla.
Sa herë nuk doje të jepje një përgjigje, thoshe: jam në takim me OSBE-në.
E po, në atë kohë kisha shumë takime me OSBE-në, tha Nikolla.
Ti ia fut kot, se nuk kishe asnjë takim me OSBE-në, thashë unë.
Kisha, tha Nikolla, sidomos kur u bllokua gazeta në vitin 1996.
Ma trego si u bllokua gazeta, i thashë.
Kur shkarkova Aleksandër Frangajn si kryeredaktor, ai bëri një letër në shtypshkronjë dhe kërkoi bllokimin e botimit të gazetës, gjoja për borxhet që kishim, tha Nikolla.
Sa zgjati ky bllokim, e pyeta.
Dy ditë, tha Nikolla, por u kthye në problem kombëtar, sepse të mbyllje “Koha Jonë” atëherë ishte si të mbyllësh të gjitha televizionet bashkë sot.
Po pastaj si u zgjidh?
Na shpëtoi Xhorxh Soros, ai na pagoi borxhet e shtypshkronjës dhe u vendos të ishe ti kryeredaktor.
Po e di, i thashë, ka qenë verë dhe unë u ktheva nga pushimet.
Ti ke ardhur në 17 korrik 1996 dhe pastaj çdo gjë ndryshoi, tha Nikolla.
Thua ti që ndryshoi, thashë unë, sepse gjysma thonë që ajo gazetë dogji Shqipërinë dhe ne të dy ishim dy zjarrvënës të qëllimshëm.
Ajo gazetë e shpëtoi Shqipërinë, tha Nikolla, sepse i hoqi qafe një qeveri që njerëzit nuk e donin.
Unë nuk jam pishman, thashë unë, sadoqë e di që titujt e gazetës mund të kenë bërë shumë dëm, po rrugë tjetër nuk kishte.
Prandaj na dogjën, tha Nikolla, në mars 1997 gazeta u dogj në mes të natës nga policia sekrete.
Mua më ka njoftuar në katër të natës një mik nga ambasada amerikane, thashë unë.
E di, tha Nikolla, mua më morën në telefon në mesnatë, por nuk shkoja dot në gazetë sepse rruga ishte mbushur me tanke.
Sa kohë nuk doli “Koha Jonë”, pas djegies?
42 ditë, tha Nikolla.
Nuk mbaj mend më tepër, sepse unë ika në atë kohë, i thashë.
Ti më tradhtove, tha Nikolla.
Unë doja të bëja vetë një gazetë, thashë unë, gjithnjë bëhem pishman kur punoj për të tjerë.
Ti më more gjithë stafin dhe bëre gazetën “Indipendent”, tha Nikolla.
Indipendenti u shit shumë, thashë unë, aty ishin gazetarët më të mirë të Shqipërisë.
Ata gazetarë m’i more mua, tha Nikolla, nuk e di ç’më ke bërë atëherë, mbeta fare vetëm.
Unë u propozova gazetarëve një bashkëpronësi, pra një gazetë ku të ishim të gjithë pronarë dhe të gjithë të fitonim.
Nuk funksion kjo në Shqipëri, tha Nikolla, as dy veta nuk bëhen dot bashkë, jo 30 sa more ti.
Indipendentin e krijova si kooperativë, por dështoi, sepse në kaosin që ishte Shqipëria e atyre muajve, ne shisnim shumë gazeta, por nuk mblidhnim dot asnjë lek, prandaj falimentuam.
Unë kisha spiunët e mi në gazetën “Indipendent”, tha Nikolla, sa herë mbeteshit pa lekë, unë e merrja vesh.
E di, thashë unë, ti gjithmonë i ke pasur qejf ata që spiunonin.
Ika tani, tha Nikolla.
Ku do ikësh, e pyeta.
Kam takim me OSBE-në, tha Nikolla.
Ti nuk ke asnjë takim, thashë unë, po rri dhe pak.
Ore më pret OSBE, tha Nikolla.
Prit, i thashë, edhe diçka.
Çfarë do, pyeti Nikolla.
Nëse do ktheheshim mbrapsht, a do e blije sërish Indipendentin?
Do e blija njëqind herë, tha Nikolla.
E po, unë nuk do ta shisja më, i thashë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb