AZERBAJXHAN – Autoritetet në Azerbajxhan kanë arrestuar katër persona, për lidhje me klerikun turk, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grusht-shtet, më 15 korrik.

Katër të dyshuarit janë akuzuar për “abuzim me pushtetin” derisa kanë punuar për një kompani të telefonave celularë dhe kanë ndërhyrë në informacionet private të abonentëve, kanë thënë prokurorët azerbajxhanas.

Sipas tyre, në shtëpinë e njërit prej të akuzuarve, hetuesit kanë gjetur “literaturë të ndaluar fetare, disqe dhe broshura me fjalime të Fethullah Gulenit”.

Bakuja, aleat i afërt i Ankarasë, ka hapur këtë javë hetime penale ndaj mbështetësve të Gulenit, i cili sipas presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë përpjekje ta largojë atë nga pushteti më 15 korrik.

Kleriku, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, e mohon fuqishëm një gjë të tillë.
Muajin e kaluar, Azerbajxhani ka mbyllur një televizion privat, i cili kishte planifikuar të transmetonte një intervistë më Gulenin.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb