Ish Vila e diktatorit Enver Hoxha në ish Bllok, ka hapur dyert si një rezidencë artistike, duke pritur  artistët e parë. Çelja zyrtare, pos mungesës së sqarimeve për median si trashëgimi e kujtesës së banorëve të godinës, kaosit dhe kërshërisë masive, mirëpriti kumbimin e ritit pagan të Arapëve të Polenës,  me maskat e tyre totemike që përthyen heshtjen e tuneleve të nëndheshme të diktatorit. Prania e tyre ioshet pjesë e performancës së artistes Gerta Xhaferraj nën titullin “Azili i Kujtesës së Heshtur”.

“Hulumtimi im bazohet në tunelet e nëndheshme të zonës së ish bllokut, këto simbole të paranojës dhe diktaturës. Është e mudnur të aksessohen vetëm tri dhomat e para të cilat janë brenda territorit të vilës 31. Rituali pagan u ndalua nga regjimi pas revolucionit kulturor. Doja ti ftoja këtu ku janë ndaluar të bëjnë ritualet e tyre për të treguar që liria është shumë e rëndësishme.  Rituali i Arapëve të Polenës, bazohet në largimin ose frikësimin e shpirtrave të errët të dimrit, ky për mua është një simbol i fuqishëm jo vetëm për të larguar traumat e të shkuarës”, tha Xhaferraj.

Turmat kurioze ndërveprojnë me hapësirën ku familja e diktatorit kaloi një pjesë të madhe të jetës, ndërsa veprat  e artistëve shpesh e kanë përdorur hapësirën vetëm si vend ekspozimi, pa reflketuar domosdoshmërisht mbi domethënien që ajo ka pasur për izolimin, dhe pa synuar të përzënë fantazmat. Qasja artistike krejt e lirë, është edhe  një kundërvënie me godinën prej ku liria, vritej dhe prej ku, Ledi Makbeth rimishërohej. Nga apartamenti i Nexhmije Hoxhës, një artiste e re ka krijuar një tjetër raport me hapësirën.

“Fillimisht  kur mësova se do jem te dhoma e Nexhmijes, pata një siklet dhe një farë frike  dhe ndrojtjeje, por që është dhoma më e rehatshme. Kam hulumtuar mbi traditën e Tiranës, duke kapur elemente të veshjeve popullore dhe rite të ndryshme si në dasma dhe pjesën e arkitekturës, por atë arkitekture që ka mbetur e vjetër”, tha Arnilda Kyçyku.

Hapja e vilës si rezidencë bëhet në kuadër të “Art explora festival” organizuar nga fondacioni francez që ka marrë në menaxhim vilën. E në mesin e përkimeve që Tiranës nuk i kanë munguar, festivali, mbahet në datat 9-13 prill, duke përfshirë në festime edhe 11 prillin, që shënon 40-vjetorin e vdekjes së diktatorit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb