Nga: VALENTINA MADANI*

TIRANE – Bardh Spahia, Drejtues i Departamentit të Emigracionit dhe Diasporës në Partinë Demo-kratike, tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” zgjidhjen që PD ofron për çështjen e azilkërkuesve shqiptarë.

Z.Spahia, Gjermania ka filluar procesin e kthimit të azilkërkuesve në Shqipëri. Cili është qëndrimi i Departamentit të PD për këtë çështje?
Departamenti i Emigracionit dhe Diasporës në PD po ndjek ditë pas dite këtë fenomen kaq dramatik dhe me dhimbje për vendin tonë. Ne po ngremë databasin me të dhëna për azilkërkuesit, vendorigjina, vendlargimi, statusi social-ekonomik dhe kemi kontaktet tona të vazhdueshme me azilkërkuesit. Ne interesohemi për gjendjen dhe kërkesat tyre, duke shprehur angazhimin tonë mbi të gjitha si solidaritet kombëtar, njerëzor, përveçse atij politik. E kundërta po ndodh me qeverinë, e cila ka për detyrim ligjor dhe kushtetues të mbrojë të drejtat e shtetasve të saj, por që i ka braktisur në mëshirë të fatit dhe ka mbyllur mëse gjashtë muaj, çdo vesh, sy e gojë për të folur për ta. Në kohën kur numri i azilkë-rkuesve shqiptarë vetëm në muajin korrik arriti në 7633, ( gjithsej 29.857) të dytët pas sirianëve në luftë civile, ende qeveria dhe shteti nuk japin asnjë të dhënë për statusin social, dhe problematikat e këtyre njerëzve që kërkojnë zgjidhje në azil për mjerimin e tyre. Përsa i përket qëndrimit tonë, ai është artikuluar qartë që në fillim të nisjes së eksodit kombëtar. PD, kryetari Basha dhe Departamenti i Emigracionit e ka cilësuar azilkër-kimin si rrugë për mbijetesë, për t’i shpëtuar krizës së mjerimit ekonomik dhe mungesës së shpresës që ka ngritur kjo qeveri dhe ma-zhorancë e kapur nga krimi dhe monopolet. Kjo është një dramë që ka shënuar dhe viktima siç ishte tragjedia e humbjes së jetës së 23-vjeçares nga Kukësi, Ela HAZIRAJ. Ndërkohë deputetët e grupit parlamentar kanë ndërmarrë takime dhe kontakte me të afërmit e azilkërkuesve në qytete të ndryshme të vendit nga Jugu në Veri. Mesazhi i tyre për të ndërhyrë qeveria në zgjidhjen e krizës që ka pllakosur fshatra e qytete vijon të marrë memecërinë arrogante të pushtetarëve të majtë. Ndërkohë procedura e kthimit të azilkërkuesve, është një vendim i marrë nga autoritetet gjermane, të cilët po ndjekin sipas procedurave të tyre ligjore këtë proces. Në këtë aspekt si shqiptarë na mbetet veçse ta respektojmë vendimin e Gjermanisë, ndërsa qeveria, shteti, pas kësaj shpërfillje arrogante që i ka bërë kësaj drame, të reagojë një orë e më parë, për të reflektuar dhe t’i gjejë zgjidhje halleve dhe problemeve të azilkë-rkuesve. Sigurisht që kjo qeveri nuk e ka vullnetin dhe dëshirën për ta bërë këtë, pasi e vetmja doktrinë dhe filozofi e saj është grabitja, korrupsioni dhe rrënimi i shqiptarëve.
A mendoni se ka një të vërtetë tjetër përveç krizës ekonomike sikurse shprehet opozita, lidhur me rritjen e numrit të azilkërkuesve?
Ka një të vërtetë të madhe dhe logjike që nuk e deformon dot asnjë përpjekje e dështuar dhe qesharake e propagandës së Rilindjes Rama-Meta, asnjë manipulim qeveritar. Shqiptarët ikin nga çdo cep i vendit Jug-Veri, Lindje-Perëndim me para borxh, sepse nuk kanë me çfarë të përballojnë jetën e përditshme, sepse nuk kanë më shpresë për veten, familjet dhe fëmijët e tyre. Kjo është qeveria më asociale dhe madje nuk e teproj nëse e cilësojmë më antishqiptare në dimensionin e interesit dhe të së mirës publike për të cilën ka mision një qeveri dhe një parlament në një demokraci funksionale. Ekonomia po njeh tatëpjetën e saj më të rrezikshme pasi vetë kriza ka si ideatorë shkaktare dhe zbatues qeverinë dhe klikën oligarkike Rama-Meta. Për herë të parë në 25 vite liri dhe demokraci INSTAT deklaroi se janë ulur pagat sikurse ka ndodhur këtë vit vetëm në Bjellorusi. Për këtë qeveri moto nuk është zhvillimi, por mjerimi dhe regresi. Si mund të mos rritet azili kur shqiptarët janë të papunë, sepse papunësia tek të rinjtë është në shkallën më alarmante ndërsa në rang popullsie ka shkuar mbi 35%, çmimet janë dyfishuar, tarifat e energjisë ujit dhe karburantit shtohen në mënyrë të papërballueshme, duke rritur disa herë kostot e shërbimeve publike për shqiptarët (sipas Global Petrol Prices), Shqipëria është ndër 10 vendet në Europë me çmimin më të lartë të naftës. Si mos të ikin shqiptarët nga një qeveri dhe pushtet i cili mbyt biznesin e vogël ku punësohen familjet me aksione represive fiskale, gjoja në emër të luftës kundër informalitetit. Ndërkohë që arkitekti dhe zbatuesi më i madh i evazionit ku zhduken 160 milionë dollarë për pak muaj është vetë kryeministri, ministrat, hierarkia e lartë dhe deputetët e mazhorancës. Niveli i minimumit jetik nuk është i shpallur sepse qeveria ka larguar mbi 20 mijë familje nga lista e ndihmës ekonomike, statuset e invaliditetit dhe përkrahja sociale. Përgjegjëse është kjo qeveri e drejtuar nga klanet dhe interesat e krimit, kryeministri me ministrat e korruptuar dhe të paaftë qe rrisin papunësinë duke mbyllur bizneset dhe vendet aktuale të punës. Kjo qeveri mashtroi dy vjet më parë, për rritje pagash dhe pensionesh, shëndetësi dhe arsim falas për të gjithë, por gjithçka siç u vërtetua ishte mashtrim për të marrë pushtetin. Me këtë rast duhet të theksoj se PD ka treguar dhe po vijon të tregojë gjithë mbështetjen dhe angazhi-min për zgjidhjen e krizës nëpërmjet një plani shpëtimi me masa emergjente për të nxjerrë vendin nga rokada e mjerimit. Ky plan në thelb ka dekriminalizimin e politikës shqiptare si hapi i parë dhe i domosdoshëm për çlirimin e pushtetit nga kthetrat e krimit dhe vënien e shtetit në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Kjo është strategjia për uljen e taksave, hapjen e vendeve të punës, luftë kundër monopoleve dhe evazionit shtetëror, nxitje dhe lehtësi fiskale ndaj biznesit, pra një program kombëtar për të çelur shpresën dhe optimizmin tek shqiptarët.
Ndërkohë kryeministri pretendon se emigracioni është pasojë edhe e politikave të dështuara të BE…
Rama jo vetëm si një politikan i papërgjegjshëm, por dhe si individ i tillë guxon dhe ndërmerr iniciativa donkishoteske duke dhënë leksione qesharake madje dhe përpiqet të kërcënojë Brukselin zyrtar për qëndrimet ndaj emigrantëve, në një kohë kur duhet të shihte nga vetja si shkaktari kryesor i eksodit masiv të shqiptarëve dhe të mundohej të gjente rrugët e të merrte masa urgjente për eliminimin e shkaqeve të eksodit. Përballë Evropës së korpuseve të vlerave, ligjeve, normave dhe forumeve civile, Evropës të Magna Cartës del një kryeministër i papërgjegjshëm i cili në fokus të ka mbrojtjen e interesave klanore të qeverisjes. Ndërkohë pozita e kësaj qeverie dhe kryeministri përballë kancelarive evropiane u rëndua edhe më tepër kur ministri përgje-gjës për dështimin e luftës ndaj krimit dhe trafiqeve të drogës Tahiri kërkoi rishikimin e statistikave të azilkërkuesve shqiptarë nga autoritetet gjermane. Pra Tahiri i kërkoi Gjermanisë, model të korrektësisë dhe profesionalizmit, të ritestojë aftësitë e ekspertëve të emigracionit dhe aparaturat e kontrollit kufitar. A ka më të palogjikshme dhe më tallëse se kjo deklaratë? Kjo kërkesë sa cinike dhe diletante, erdhi në unison dhe me papërgjegjshmërinë dhe qëndrimin antikombëtar të shefit të tij Rama, sipas të cilit azilkër-kuesit në Gjermani janë emigrantët shqiptarë që ikin nga Greqia në krizë. Kur shqiptarët dhe Evropa presin veprime dhe masa konkrete nga shteti shqiptar për t’i thënë ndal eksodit masiv, qeveria dhe mazhoranca e kapur nga krimi vijojnë të bëjnë diversion me propagandë dhe shfokusim të opinionit.
A rrezikon Shqipëria kthimin e regjimit të vizave?
Situata është tejet shqetësuese për fatet e shqiptarëve pasi numri në rritje i azilkërkuesve po ngre jo pak zërat e disa politikaneve evropianë të cilët gjithnjë e më shumë po i referohen kthimit të regjimit të vizave. Sot regjimi i vizave rrezikon më shumë se kurrë të kthehet, jo vetëm për faktin e shqiptarëve që kërkojnë azil, por edhe për pasigurinë gjithmonë e në rritje të kufijve shqiptarë përballë trafiqeve të ndryshme e kryesisht të drogës me mbështetje dhe mburojë qeveritare. Arsye tjetër e shtimit të mosbesimit të BE ndaj Shqipërisë është edhe papërgjegjshmëria që tregon pushteti i Rilindjes, në raport me kërkesat e ndërkombëtareve, sikurse janë dekriminalizimi i Parlamentit dhe shtetit, lufta kundër korrupsionit dhe klaneve të interesave të rrezikshme, zgjidhja e krizës ekonomike, papunësia, cënimi i të drejtave të njeriut, liria e mediave etj. Evropën nuk mund ta manipulosh me shoë televiziv të prerjes selektive të pak rrënjëve hashash kur nga ana tjetër mbillen parcela të tëra nga njerëz të afërt të pushtetarëve dhe avionët e drogës i kap policia e shteteve fqinje. Evropën nuk mund ta manipulosh me aksione për kupona tatimore ndaj biznesit të vogël kur trarët e doganave dhe zyrat e tatimeve qëndrojnë hapur dhe në shërbim të plotë të bizneseve të pushtetit. Laku është shtrënguar aty ku nuk mban më. Azilkërkuesit si të gjithë shqiptarët kanë vetëm një zgjidhje: Largimin sa më parë të kësaj klike kriminale nga pushteti!
Ditët e fundit u arrestua deputeti Prenga dhe ndërkohë deputeti tjetër Arben Ndoka, i akuzuar prej kohësh nga opozita ka dorëzuar mandatin. …..dekriminalizimi….
Arrestimi i deputetit në fjalë është minimum i padiskutueshëm. Madje duhej arrestuar në flagrancë, menjëherë dhe jo pas shumë orësh kur nuk mbyllej më dot. Ndaj kjo nuk shitet dot për “era shtet”. Nga ana tjetër, dorëzimi i mandatit të deputetit Ndoka, të përzgje-dhurit të Ramës për qarkun e Lezhës, për të cilin PD ka paraqitur dhe fakte, siç kanë qenë vendimet e drejtësisë italiane për trafik qeniesh njerëzore, nuk është gjë tjetër veçse fryt i nismës së PD për dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës. Ndaj dhe legjitimiteti i kësaj mazhorance ka rënë teksa çdo ditë po vërtetohet se votat i morën me lekët dhe kërcënimet e krimit si në 2013 po ashtu edhe në 2015. Mbushja e Parlamentit dhe shtetit me kriminelë është përgjegjësi direkte e kryetarit të PS dhe qeverisë së Edi Ramës dhe përben një nga shqetësimet më të thella të opozitës dhe një nga kolonat e aksionit opozitar.? Në këtë drejtim është edhe projektligji dhe ndryshimet kushtetuese për të larguar kriminelët nga Parlamenti dhe administrata që PD ka paraqitur, por që Edi Rama nuk e futi në kalendarin e Kuvendit këtë të hënë. Partia Demokratike, opozita, njerëzit e ndershëm të gjithë bashkë nuk do ndalemi në nismën tonë për dekriminalizimin si guri i themelit për ta shkëputur shtetin nga kthetrat e krimit, shkaku i vërtetë i rrokullisjes drejt humnerës jo vetëm të ekonomisë, por edhe të shpresës për të nesërmen e shqiptarëve. Dhe mos të harrojmë, asnjëherë nuk do të jetë i plotë dhe i kryer procesi i dekriminalizimit pa largimin i autorit të kapjes së shtetit nga krimi, Edi Ramës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb