Ndërsa kanë kaluar disa orë nga ekzekutimin i taksistit Bujar Çela në Bradashesh të Elbasanit, si shenjë hakmarrje për vëllain e tij të shumëkërkuar pas grabitjes në aeroportin e Rinasit, por edhe për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, mësohen të tjera detaje.

Gazetarja Dorjana Bezat që mundi të shkojë e para në vendngjarje, ka siguruar për “BalkanWeb” edhe pamje nga banesa e të nderit. Ai ishte baba i tre vajzave, i martuar dhe jetonte në këtë zonë. Fqinjët e njohin për njeri të qetë, punëtor dhe që shihte hallet e tij. Ndërsa me të vëllanë, Talo çela thuhet se nuk kishte marrëdhënie, madje vitet e fundit nuk flisnin, sidomos pas rrugës kriminale të ndjekur prej tij.

“Kam mundur të shkoj në afërsi të banesës së Bujar Çelës, trupi i të ndjerit nuk ka mbërritur ende në shtëpi. Ai është baba i tre vajzave, jetonte në këtë zonë, njihej si njeri shumë i qetë. Dyshohet që është vrarë në shenjë hakmarrje për vëllain, por nuk ka pasur marrëdhënie të mira me të, sidomos vitet e fundit kur drejtimet e tyre në jetë kanë qënë të ndryshme. Bujari ishte taksist, ngrihej herët në mëngjes dhe punonte, ndërsa i vëllai i përqendruar në rrugë kriminale ndaj tij ka 2 urdhër-arreste”,- sqaroi Bezat.

Për ngjarjen ka të shoqëruar të shumtë në polici, si dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë në lokal dhe në rrugë për të kuptuar lëvizjet e autorëve.

Ndërkohë që 1 orë pas vrasjes në lokalin ku u ekzekutua Çela njerëzit vijojnë përditshmërinë e tyre, janë të qetë e pinë kafe, ndërsa gjithçka ndodhi u harrua në pak orë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb