TIRANË

Në ditën e Fiter Bajramit ose Bajramit të Madh, një ndër ditët më të shenjta për besimtarët myslimanë, në “Dritare me Rudinën” në News24 flasin përfaqësues fetarë dhe ekspertë të fushës. Në studio janë Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Hirësia e tij e Naltë Haxhi Bujar Spahiu,

Kryegjyshi botëror, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Genti Kruja, sekretar i përgjithshëm i këshillit ndërfetar të Shqipërisë, Ferdinand Samarxhiu, analist i besimeve fetare, mjeshtër i madh.

Duke folur nëse ka dallime mes myslimanëve dhe bektashinjve, Baba Mondi dha një mesazh të fortë. Ai tha se bektashinjtë janë në radhë të parë myslimanë, por se në Shqipëri s’ka dallim besimesh, pasi respektohet njeriu si qenia më e përkryer e Zotit.

“Patjetër jemi myslimanë në radhë të parë pastaj bektashinj. Feja myslimane ka 5 detyra të domosdoshme shehadeti, të besosh Zotin dhe të dërguarin Muhamed, namazi, agjërimi, zeqati dhe Haxhi që mbështeten në katër porta, Sheriati, Tarikati, Hakikati dhe Marifeti. Sheriati është ligji që duhet t’i kemi të gjithë si myslimanë, të zbatojmë ligjet e fesë sonë të dashur.
Tarikati ku tregohet se ka më shumë obligime se sa në ditët e zakonshme por edhe në faljet e zakonshme. Përvec agjërimit që është Ramazanit kemi dhe të Imam Hysenit. Përveç 5 faljeve, kemi dhe faljet tona të brendshme. Të gjitha këto shkallë, sheriat, tarikat, hakikat dhe marifet janë grada që e lartësojnë njeriun e afrojnë me Zotin. Kështu që edhe Ramazani është për të gjithë ne njësoj, është obligim që ne të detyrohemi që të agjërojmë, t’i falemi Zotit, të pastrojmë veten nga ana materiale por dhe nga ana shpirtërore duke agjëruar me sy, me gojë, me veshë, me trup, duke u bashkuar në darkat e iftareve dhe syfyre, ku ne bashkëpunojmë me njeri-tjetrin, afrohemi, kemi dashuri për njeri-tjetrin, duke e pastruar gojën nga fjalët e këqija, syrin nga të këqija dhe duke pasur dashuri për njeri-tjetrin.
Sot bëmë faljen tonë të brendshme dhe më pas faljen në shesh me vëllezërit tanë. Ju lutëm Zotit pas një muaji të madhërueshëm të agjërimit, të dashurisë, të paqes dhe mirësisë. Sheshi ishte plot, besimtarët kanë ardhur t’i luten Zotit. Në gjithë Shqipërinë i falen Zotit duke kërkuar dashurinë e tij dhe duke qenë të bashkuar me njeri-tjetrin. Nuk ka dallim besimesh tek ne sepse respektojmë njeriun si qenia më e përkryer e Zotit”, u shpreh Baba Mondi.

Ndërsa Genti Kruja, sekretar i përgjithshëm i këshillit ndërfetar të Shqipërisë, tha se bashkëjetesa mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme nuk nisi pas viteve ’90 por është ndër shekuj.
“Shqiptarët prej shekujsh kanë dy vlera të veçanta, mikpritja dhe harmonia fetare. Jemi në një rajon ku feja është përdorur dhe për luftëra, por Shqipëria nuk ka pasur konflikte, pavarësisht se ka pasur tentativa. Bashkëjetesa nuk është vetëm pas viteve ‘90 por ndër shekuj”, tha ai.

Ndërsa për Ferdinand Samarxhi muaji i Ramazanit është një shkollë e madhe që sjell tek njeriu një botëkuptim të madh shpirtëror. “Ka një dualitet njeriu me Zotin dhe me besimin në këtë muaj”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb