Poeti dhe kineasti i njohur Petrit Ruka ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 67 vjecari, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Petrit Ruka u bë i njohur qysh me vëllimin poetik “Atdheu fillon tek zemra”, i cili mori çmimin kombëtar në vitin 1983. Prej atëherë ai ka botuar mbi 10 vëllime të tjera me poezi dhe disa dhjetëra skenarë filmash, dokumentarë e monografi.

Petrit Ruka ka zënë vendin e vet në letërsinë shqiptare si një nga poetët më të mirë të saj. Me ikjen e tij letërsia shqiptare humbet një nga burimet e mëdha të saj, që vazhdonte të mbante gjallë poezinë shqiptare.

Më poshtë sjellim një prej poezive të tij:

Baba ne ikëm…

Nga Petrit Ruka

Baba, ne ikëm
Shtëpinë e braktisëm…
Një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota
Dhe foton tënde nga muret e zbritëm
Si dryn një palë lot vendosëm tek porta…

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë
Në metropole që mblidhen si punë e iriqve
(E ke parasysh kur e vjelin një pemë
Dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!)

U ngjeshëm këtej nëpër halle të reja
E humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën
Gjithçka e gatshme në dyqane luksoze
Dyqan psikologu, që të kallais dhe zemrën…

Ne ikëm dhe varrin ta kyçëm në një video
Të dielën të takojmë në xhamin vizual
Me mend i vemë lulet, dy lotë, një cigare
Jetojmë me simbole,…në një botë me manual.

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete
Tani ne gjithçka e mbajmë në një kuti,
Kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
Në xhamin e tij takon çdo njeri..

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasëm,
Puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent
Dhe nënën e qan nga mijera kilometra
Kur e fusin në varr, me video konferencë.

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë
Këtu lart u ndamë për jetë e për mot
S’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
Qëllova i dobët dhe mbytem në lot.

Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
Nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi
Një kohë arixhinjsh jeton sot gjithë bota
Iki edhe thur kanistra pikëllimi…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb