NGA SPARTAK KOKA*

* Viktima, inspektor i IKMT-së

* Konflikti që prej vitit 2012 për një pronë në Golem

* Djali i xhaxhait të viktimës dhe shoferi i tij u ekzekutuan në 2012-ën

* Autori i vuri eksploziv kreut të komunës Golem në vitin 2013

TIRANË- Një 42-vjeçar është qëlluar me thikë pasditen e djeshme në banesën e tij në Bathore, Kamëz rreth orës 18:30 dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Viktima Milazim Shehu, me origjinë nga Shtiqeni i Kukësit, me detyrë inspektor i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Mjedisit, (ish-INUK), babi i 3 fëmijëve sipas policisë është qëlluar 12 herë, duke i prekur pothuajse të gjitha organet..

Policia siguron se ngjarja nuk ka lidhje me detyrën e 42-vjeçarit, por ka ndodhur për motive familjare pronësie. Blutë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim kushëririn e viktimës, shtetasin Giuliano (Granit) Sulejman Shehu, 32 vjeç banues në Bathore (djali i djalit të xhaxhait).

KUSH ISHTE MILAZIM SHEHU

Mësohet se 42-vjeçari Shehu para vitit 2007 ka punuar në Komandën e Repartit të Sigurisë (RESI). Më 14 maj në 2007 është larguar nga kjo punë dhe më pas ka filluar si inspektor në INUK.

POLICIA

Më datë 17.09.2015, ora 00:50 Policia është njoftuar se në një spital privat ka shkuar i vdekur shtetasi Milazim Shehu, 32 vjeç. Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se më datë 16.09.2015 , ora 19:00 në Spitalin privat është dërguar shtetasi Milazim Shehu, i cili ka qenë i plagosur me mjete prerëse pas konfliktit që ai ka pasur në banesën e tij me kushëririn, shtetasin G.Sh., 32 vjeç i cili është shpallur në kërkim.

Nga këqyrja e kufomës me trupin e këtij shtetasi vërehen 12 dëmtime me mjete prerëse (thikë) të cilat kanë prekur zemrën.

SI LINDI KONFLIKTI

News24 dhe BalkanWeb sjellin të plotë dosjen hetimore për këtë ngjarje duke filluar nga viti 2012. Shkak i ngjarjes së mbrëmjes së djeshme është bërë pikërisht një konflikt i mëparshëm pronësie, konflikt ky që lidhet me ngjarjen e datës 25.07.2012 tek “Mali i Robit” ku janë vrarë nga Ardian Tragaj shtetasit Sulejman Shehu (babai i Granitit) dhe roja i tij Durim Pashallari.

Për këtë ngjarje u arrestua si autor shtetasi Ardian Traga i cili është dënuar nga gjykata. Konflikti mes palëve u shkaktua për një sipërfaqe toke buzë detit në Golem që jepej me qira nga komuna e zonës.

Sipërfaqe të cilën e ka mbajtur për disa vite familja e Sulejmanit dhe heqja e kësaj toke dhe dhënia me qira familjes Targa ka qenë burimi kryesor i konfliktit.

32-vjeçari bashkë me xhaxhain e tij L. Shehu është dyshuar dhe si  autor i atentatit ndaj kryetarit të komunës Golem, Agron Agalliu në 25 shtator të vitit 2013. Agalliu akuzohej nga familja Shehu që kishte favorizuar në mënyrë abuzive familjen Tragaj.

Mosmarrëveshjet për moszgjidhjen e konfliktit me Tragajt për  tokën e Golemit ka shpërthyer dhe brenda familjes Shehu.

Djali i viktimës Sulejman Shehu fajësonte kushëririn e tij Milazimin që duke punuar në INUK nuk kishte arritur të prishte një urë të ndërtuar si platformë nga Tragajt dhe që cenonte pjesën e babait të tij Sulejmanit. Sipas informacione, Graniti pretendonte se babai i tij është vrarë edhe për shkak se kushëri i tij Milazimi nuk kishte bërë aq sa duhet për të zgjidhur konfliktin.

Informacion policor i vitit 2012

Agron Agalliu, Kryetari i komunës i kishte dhënë leje me gojë familjes Tragaj për të ndërtuar një urë në tokën që cenonte pjesën e Sulejmanit, pas ndërtimit të së cilës ka pasur një aktivitet festiv nga Ardian Tragaj me shumë të ftuar si edhe media televizive dhe në të cilën ka marre pjesë edhe kryetari i Komunës Agron Agalliu, (me të cilin më pas për këtë arsye Sulejmani ka bërë fjalë).

Kryetari i komunës me ndërhyrje nga ana e tij dhe familja Tragaj në bashkëpunim me persona nga Ministria e Mbrojtjes i kanë prishur një bunker që ndodhej tek pjesa e Sulejmanit dhe vendin e tij e ka zaptuar forcërisht Ardian Tragaj.

Pasi u prish bunkeri me qëllim që vendin e mbetur bosh prej tij  të mos e zinte rivali Sulejman Shehu, e ka shtruar me një platformë betoni, por gjatë natës familjarë të Ardian Tragës  me mbështetjen e komunës e kanë prishur atë dhe kanë shtyrë kufirin.

Sulejman Shehu dhe vëllai i tij L. Shehu një ditë para ngjarjes kishin gjetur kopje të një kontrate qiraje që territorin që ai pretendonte dhe ishte në konflikt me Ardian Tragajn, kryetari i komunës Agron Agalliu ia kishte dhënë me qira për 20 vjet një të afërmi të Ardian Tragaj.

Kjo ka qenë edhe pika kulmore e këtij konflikti që më pas solli edhe ngjarjen e rëndë që ndodhi në 25 korrik 2012.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb