Nga: XHENSILA KODRA*
TIRANE – Një foshnjë 3-muajshe ka ndërruar jetë gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Ngjarja e rëndë është shënuar në zonën e Shkozës në Tiranë. Burime pranë policisë së kryeqytetit bënë me dije se shkak ka qenë i ftohti në mjediset ku jetonte foshnja e seksit femër. “Më datë 28.11.2015, në orët e para të mëngjesit, në një barakë në zonën e Shkozës, një foshnjë me iniciale M.M., disamuajshe, ka ndërruar jetë. Nga hetimet e para rezulton që shkak të jetë i ftohti në mjedisin ku jetonte foshnja.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe përgjigjen nga ekspertiza mjeko-ligjore”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Ndërkaq, i ati i foshnjës, Emrah Mustafaj rrëfen për “Gazeta Shqiptare” ngjarjen e ndodhur. Ai shprehet se ka edhe një fëmijë tjetër që mund ta humbasë nga i ftohti, pasi kushtet e barakës ku ai jeton janë të mjerueshme.

Ermah, kur ndodhi ngjarja?
Ishte ora 3 e mëngjesit kur nusja ishte zgjuar për t’i dhënë gji fëmijës, kur filloi të qante me të madhe. U zgjova dhe pashë që vajza jonë 3-muajshe ishte ngurtësuar nga të ftohtët. Me shpejtësi mora ujë të ngrohtë nga një kazan që t’i fërkoja këmbët e duart, por vajza kishte vdekur.

Si vepruat më vonë? Kërkuat ndihmë diku?
Kam marrë në telefon përfaqësuesen e komunitetit rom dhe ajo erdhi na ndihmoi. Me kë duhej të flisja tjetër?! Asnjë njeri nuk më ka ndihmuar deri tani! Jetojmë në një barakë në të cilën edhe ne më të mëdhenjtë në moshë kemi ftohtë gjatë natës, e jo më fëmijët! E kemi ndërtuar me disa dërrasa dhe kartonë. Shteti nuk na ka ndihmuar asnjëherë.

Ju keni edhe një fëmijë tjetër të vogël. Mendoni se jeta e tij rrezikohet nga i ftohti?
Po, unë kam edhe një djalë të vogël, është një vjeç e gjysmë. Edhe ai nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë gjithë kohës është me kollë. Nuk kam mundësi që t’i paguaj vizitën e jo më t’i blej ilaçe. As unë dhe as nusja ime nuk punojmë. Kërkojmë, por nuk gjejmë. Jetojmë vetëm me çfarë të na japin. As asistencë nuk marrim. Nuk kemi asnjë kusht për jetesën. Flemë në tokë. Nuk kemi asnjë divan apo krevat se ku të vëmë fëmijët të paktën. Kemi vetëm 4 batanije. Në tokë shtrojmë vetëm një dyshek dhe kartonët e ambalazhit. Por, a mund të mbulohet një fëmijë me një karton?! Nuk kemi se çfarë të bëjmë, pasi askush nuk po na ndihmon. Nuk kemi asnjë kusht. Po hamë aty ku po hanë edhe minjtë. Nuk kam asnjë mundësi që fëmijës tim t’i bëj qoftë edhe një varrim të vogël. Të paktën më blenë një arkivol për fëmijën, por për çfarë më duhet mua ai tani?! Në dy vitet e fundit këtu te ne kanë vdekur 5 fëmijë të vegjël vetëm nga i ftohti dhe sërish nuk po merret asnjë masë.

Cili është apeli juaj dhe kujt i drejtohet ai?
U kërkoj kryebashkiakut dhe kryeministrit të vendit që të vënë dorën në zemër për ne. Edhe ne jemi njerëz si gjithë të tjerët. Dimri nuk ka ardhur akoma mirë dhe unë kam edhe djalin e vogël që rrezikon nga i ftohti. Të paktën të kem një vend ku të fus kokën. Të paktën të shpëtoj djalin.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: