NGA FATMIRA NIKOLLI*

Marrëdhënia mes një babai e të birit në Kosovën e viteve 1990 para luftës, kur ende kishte “orë policore” e kontrolle, endet nga një jetë e vështirë në atdhe ku babai është ende mit, në një rrugëtim në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani, kur miti bie, por babai, mbetet tashmë i zhveshur nga aureola. Në qendër është jeta si cigareshitës e një dhjetëvjeçari, Nori (Val Maloku), dhe babait të tij, Gëzim Berisha (Astrit Kabashi). Ky i fundit, mbas ikjes së gruas jeton me të atin dhe rregullat e vëna nga plaku shqiptar baca Adem (Enver Petrovci), ku sipas traditës binden të gjithë.

Mandej, kur Gëzimi emigron duke lënë pas të birin, 10-vjeçari bën të pamundurën ta arrijë atë në Gjermani, duke “shitur” armën e shtëpisë, ose duke vjedhur paratë e vëna mënjanë për dasmën e xhaxhait. Përkrah tij në këtë udhëtim të me çdokusht gjendet Valentina (Adriana Matoshi) dhe rruga ka pengesa të fundme, sidomos për një fëmijë 10-vjeçar, prej të cilit rreken të përfitojnë. Rrugët e paligjshme drejt Perëndimit janë të vështira, dhe ekranizimi i filmit “Babai” të regjisorit e skenaristit kosovar Visar Morina, e tregon më së miri, duke përcjellë skenë pas skene, emocionet e ikjes për atje tej.

Mbërritja, nuk shënon pragun e parajsës. Krejt e kundërta, kampet a vështirësia e përfshirjes në kampet e azilantëve sjellin vështirësi të tjera. Fotografia është e zymtë dhe i qëndron së njëjtës linjë të grinjtë nga fillimi deri në fund. (Përtej saj, mesi i filmit ofron disa skena, pothuaj të padukshme, mbi udhëtimin në det të emigrantëve, ku vdekja përballet me njeriun dhe ku i ndajnë pak centimetra). Marrëdhënia baba-bir, transformohet, nga urdhërues – i bindur në Kosovë, në dy njerëz që tashmë janë para të njëjtave vështirësi, hakërrehen e ndërsa babai e qëllon me shpullë të birit, ai, në këmbim, dhe në hakmarrje pse ai e kishte lënë, guxon t’i përplasë në fytyrë lëngun e një pijeje me gaz.

Filmi pati dje një shfaqje për mediat, ndërsa sonte në orën 18:00 shfaqet për publikun në kinema “Millennium”, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë(TIFF 2015), ku është në konkurrim. Producenti i tij, u shpreh se filmi ka kushtuar më shumë se 1 milion euro, ndërsa puna për të ka nisur prej vitit 2007. Ai është një nga filmat më të shtrenjtë që është realizuar në Kosovë(prej së cilës financimi ka qenë 200 mijë euro). Është bashkëprodhim i Kosovës, Gjermanisë, Maqedonisë dhe Francës. “Babai” i Morinës është filmi i parë i metrazhit të gjatë. Regjisori deri më tani ka realizuar vetëm filma të shkurtër, me të cilët është prezantuar edhe në nivel ndërkombëtar.

Filmi është ndër prodhimet shqiptare më të vlerësuara në festivale: ka fituar katër çmime në festivalin e madh “Filmfest Munchen”, ndërsa në “Karlovy Vary” fitoi çmimin për regjinë më të mirë, si dhe çmimin “Europa Cinemas Label”, që ndahet nga “Europa Cinemas Network”.
Premiera e tij, ishte një prej premierave që TIFF ka shfaqur në këtë edicion të 13-të të tijin në Tiranë. I nisur më 28 tetor, TIFF ka shfaqur në “Millennium” e kinema “Agimi” më shumë se 100 filma, me metrazh të shkurtër e të gjatë. Ndërsa TIFF-i shënon sonte mbrëmjen finale, po sonte ndan edhe çmimet për filmat më të mirë, mes atyre që janë shfaqur përgjatë nëntë ditëve. Filmat në garë në TIFF janë: “Burrnesha”, me regji të Laura Bispurit, “Babai” i Visar Morinës, “Amsterdam Express” i Fatmir Koçit, “Across the sea”, bashkëpunim zvicerano-shqiptar, “Pikadero”, bashkëprodhim i Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar, “Xenia” Greqi, Francë dhe Belgjikë, “Raul”, prodhim kilian, “Banat”, bashkëpunim italian me Ballkanin, “She comes back on Thursday” nga Brazili, “Index zero”(Angli-Itali).
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: