Gjatë jetës së tij Olen Çezari është vlerësuar nga emra të mëdhenj botërorë. Një prej tyre ishte kantautori i madh italian Lucio Dalla, i cili e konsideroi atë si “gjeniun e violinës”.

Teksa u shfaq një fotografi me të në programin “Dola te Ola”, Oleni rrëfeu se në vitin 2000 i vdiq babai dhe Lucio Dalla u bë për të baba i dytë. Ai theksoi se ka mësuar shumë prej tij, “mësova si bëhet muzika. Bashkë kemi shëtitur botën. Ishte vizionar”, tha Oleni, duke shtuar se fotoja ishte realizuar në rrugën që sot mban emrin e tij ku kishte dhe shtëpinë e tij.

Violinisti rrëfeu në program edhe momentin kur Lucio Dalla u nda nga jeta. “Lajmi i largimit ishte një rrufe në qiell pa re. Ishte në Zvicër. Nuk kishte patur probleme me para. Ishte duke lexuar gazetën dhe më pas i ra infarkt. Edhe pse ndihmën e parë e mori në kohë, nuk mundi t’ia dilte”, tha ai, teksa shtoi se për funeralin tij u bllokua për 3 ditë Bolonja. “Është një nga kolosët e Italisë dhe unë pata fatin ta kisha afër”, u shpreh Oleni, i cili me ikjen e tij humbi babanë e dytë.

Ndërkohë kujtojmë që artistët që e kanë dashur Olenin në skenë dhe e kanë vlerësuar janë të shumtë, nga Bob Dylan, Michel Petrucciani, Lenny Kravitz, Sheryl Crow, Sergio Cammariere, Franco Califano te Claudio Baglioni, Simone Cristicchi, Alessandro Mannarino, Inva Mula, Anna Oxa dhe Zucchero etj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb