Oligarku rus i akuzuar se ka therur gruan dhe vajzën e tij adoleshente para se të kryente vetëvrasje është vrarë, pretendoi sot djali i tij.

Ish-ekzekutivi i gazit multimilioner Sergey Protosenya u gjet i varur në kopshtin e shtëpisë së tij luksoze spanjolle dhe trupat e gruas së tij Natalya dhe vajzës së tij 18-vjeçare Maria u zbuluan të vrarë me sëpatë brenda.

Autoritetet spanjolle kanë sugjeruar që Protosenya, 55 vjeç, e ekzekutoi gruan dhe vajzën përpara se të vriste veten në një sulm jo karakteristik zemërimi, ndërsa familja gëzonte një pushim të Pashkëve në Costa Brava javën e kaluar.

Por djali i tij Fedor ka pretenduar se babai i tij, i cili kishte qenë nënkryetar i firmës kryesore ruse të gazit Novotek, ‘nuk mund të dëmtonte kurrë’ gruan dhe vajzën e tij dhe sugjeroi se të tre anëtarët e familjes së tij ishin vrarë.

“Babai im nuk është vrasës”, tha Fedor Protosenya për MailOnline.

Djali I Oligarkut
Djali I Oligarkut

Protosenya nuk la një shënim vetëvrasjeje dhe nuk u gjetën gjurmë gishtash në armët – një sëpatë dhe një thikë – të përdorura për të vrarë. Në trupin e tij nuk kishte njolla gjaku.

Policia spanjolle ka refuzuar të publikojë gjetjet e ekzaminimeve të tre trupave që u kryen gjatë fundjavës, duke përmendur ‘sekretin e hetimit policor’.

Fedor, një student universiteti 22-vjeçar, nuk ishte në vilë sepse e kaloi Pashkën në shtëpinë e familjes në Bordo, Francë.

Ai mbrojti babanë e tij, duke thënë: ‘Ai e donte nënën time dhe veçanërisht Marian, motrën time. Ajo ishte princesha e tij. Ai kurrë nuk mund të bënte asgjë për t’i dëmtuar ato. Nuk e di se çfarë ndodhi atë natë, por e di që babai im nuk i lëndoi ata.’

Fedor tha se policia i kishte thënë të mos e diskutonte rastin. Ai ngriti alarmin kur nuk mundi të kontaktonte me ndonjë nga familjarët e tij me telefon të martën e javës së kaluar.

Policia katalanase shkoi në vilë dhe gjeti Protosenya të varur në oborr dhe trupat e gjymtuar të gruas së tij Natalia, 53 vjeç, dhe Marias brenda.

Shefi i policisë rajonale, komisioneri Josep Milan deklaroi se provat sugjeronin se vdekjet ishin rezultat i një vrasjeje të dyfishtë dhe vetëvrasje me Protosenya si vrasës.

Ai tha: ‘Hetuesit janë duke u fokusuar në një person që ka kryer vetëvrasje dhe dy persona që janë vrarë në shtëpi, kjo është ajo që ne po shohim.’

Vdekjet e dhunshme kanë shkaktuar tronditje në komunitetin e ngushtë rus në vendpushimin e Lloret de Mar, në Costa Brava të Spanjës, ku Protosenya kishte blerë një shtëpi pushimi familjare rreth dhjetë vjet më parë.

Biznesmeni Anatoly Timoshenko, një mik i ngushtë i oligarkut rus tha për MailOnline: ‘Sergei nuk e bëri këtë. Sergei nuk e vrau familjen e tij. Është e pamundur. Nuk dua të diskutoj se çfarë mund të ketë ndodhur në shtëpi atë natë, por e di që Sergei nuk është një vrasës.’

Një mik tjetër Roman Yuravich shtoi: ‘Sergei nuk e vrau familjen e tij. E njoh prej dhjetë vitesh. Ai ishte një njeri i lumtur. Ai e donte familjen e tij. Ai nuk vrau gruan dhe fëmijën e tij. Jam i sigurt.’

Vdekja e oligarkut është vdekja e katërt misterioze e drejtuesve të firmave ruse të gazit dhe familjeve të tyre të lidhura me rrethin e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin.

Vetëm disa ditë më parë trupi i Vladislav Avayev u gjet në apartamentin e tij elitar në Moskë së bashku me gruan e tij Yelena dhe vajzën 13-vjeçare Maria në një tjetër vrasje-vetëvrasje të dukshme.

Avayev, 51 vjeç, ishte më parë president i Gazprombank, një bankë e krijuar për të punuar për gjigantin rus të gazit Gazprom, dhe kishte qenë gjithashtu një zyrtar i Kremlinit.

Në shkurt, trupat e goditur dhe të therur të drejtuesve të lartë të Gazprom, Alexander Tyulakov dhe Leonid Shulman, u gjetën në apartamentet e tyre luksoze në një ndërtesë elitare banimi pranë Shën Petersburgut.

Gjigandi rus i gazit natyror Novatek, ku Protosenya kishte qenë nënkryetar përpara se të tërhiqej me një pasuri prej 300 milionë funtesh, hodhi gjithashtu dyshime se ai mund të kishte qenë përgjegjës për vrasjet brutale.

Në një deklaratë Novatek tha: “Sergey Protosenya ishte person i shquar dhe një familjar i mrekullueshëm, një profesionist i fortë që dha një kontribut të konsiderueshëm në formimin dhe zhvillimin e kompanisë.

“Për fat të keq, në media janë shfaqur spekulime për këtë temë, por ne jemi të bindur se këto spekulime nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: