Ndërsa dy ditë më parë u bë e njohur pasi i derdhi shishen me salcë ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, tani është publikuar një letër të cilën Mirela Ruko ia kishte dërguar faqes Jeta osh Qef.
Në mesazhin e saj të dërguar para katër muajsh studentja ankohej për gjëndjen e të atit të saj në burgun e Fierit.

Sipas letrës së Mirelës, babai i saj ishte dënuar se kishte kaluar kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.
Por përveç kësaj, Mirela më tej shkruan se “edhe në burg nuk bëhen punët pa mik. Babain e kam në gjendje jo të mirë shëndetësore, por nëse nuk ke mik drejtorin edhe mund të vdesësh”.

Letra e plotë e Mirelës

“Përshëndetje JOQ. Po ju shkruaj pasi dua të tregoj që edhe brenda në burg, të gjitha punët bëhen me mik. Babai im është dënuar 3 vjet e 4 muaj për kalim kufiri të paligjshëm, pavarësisht se ai është kapur brenda territorit shqiptar. Përveç kësaj pjese ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore, ku ka nevojë për vizita të vazhdueshme shëndetësore. Kemi kontaktuar me qendrën e Elsingut që merret me të tilla çështje dhe për fatin e mirë një periudhë kohe na ndihmuan kur ishte në burgun e Shën Kollit, por sapo u transferua në burgun e Fierit gjithçka ndryshoi.
Ne nuk jemi në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk mund t’ia sigurojmë të gjitha ilaçet, megjithatë jemi përpjekur t’i blejmë ato më të domosdoshmet, gjë që pjesën tjetër mund t’ia sigurojë urgjenca që ndodhet brenda në burg por jo, nëse ti s’e ke mik drejtorin atëherë ti bej ç’të duash. Mund edhe të vdesësh. Gjendja e tij s’ka qenë mirë kohët e fundit dhe ai ka kërkuar ndihmë për ta vizituar në spital, por përgjigja ka qenë e prerë që jo. Pasi në spital shkojnë veç ata që korruptojnë shefin e burgut dhe policët. Dua tu bëj thirrje organeve përkatëse të bëjnë kontroll në këtë burg pasi jo vetëm ka korrupsion, por po rrezikohen edhe jetë njerëzish.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb