SHKODËR- Familja e Ardian Kallamit, 47-vjeçarit që i dha fund jetës ditën e djeshme këmbëngul se ai është vetëvarur pasi është dhunuar nga policia, e cila e ka detyruar të pranojë një vjedhje që nuk e kishte bërë.

Në një prononcim për “BalkanWeb”, vajza e Ardianit, Romina e cila është e martuar dhe jeton në Itali, kërkon drejtësi dhe rrëfen bisedën e fundit me të atin.

“Kontaktet e fundit ishin pak minuta para ngjarjes. Fjalët e fundit ishin që ‘këtu nuk ka shtet e as ligj’. S’më ka mbetur asgjë tjetër më tha, veç të bëj vetëgjyqësi. Ishte në gjendje depresioni. Më tha që është dhunuar nga policia. I kanë bërë presion që të pranojë krimin në polici. Por ka pasur dhe dhunë psikologjike. Babai më tha që i kanë rënë në grusht. Si të jetë fajtor im atë si të mos jetë ne duam drejtësi, përndryshe do ketë vetëgjyqësi, mund të kemi viktimë të tretë. Mund të vrasim veten se për një vit kemi dy të humbur, nënë e babë. Dua drejtësi, të zbardhet çështja”, tha e bija e 47-vjeçari.

Ajo thotë se babai i saj ishte i pafajshëm dhe se është dhunuar me grushte në polici.
“E vërteta e tim ati të dalë në shesh, sepse ka video në prokurori se ai thotë në video ‘pse më dhunoni’. Atij i kanë rënë grusht në qafë dhe pas shpine. Në orën 2:30 më ka bërë telefonatë, kur është liruar nga Komisariati. Është arrestuar në orën 8 të mëngjesit, deri atëherë ai më tha në telefon, ‘unë s’kam faj, s’kam thyer banesën e askujt’”, tregon mes lotësh e bija.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: