TIRANE- Gazetari, Andi Bushati, ka deklaruar se prokuroria vijon të mos tregoj seriozitet, pasi sipas tij, në vend që të luajë rolin e të paanshme, organi i akuzës po luan rolin e alibisë në favor të qeverisë.


“Për publikun e gjerë, prokuroria e ka marrë pozicionin për debatin politik që po zhvillohet. Si arriti deri këtu prokuroria?Agron Xhafaj nuk duhej lënë të ikte në Itali. Nuk mund të ikë në Itali, se nuk e preu malli për burg. Po të kisha qenë unë prokuror që donte të vërtetën, kur më vinte Fredi Alizoti dhe thoshte më kanë premtuar pagesë që t’i prish punë Ministrit të rendit dhe nuk më ka paguar PD, a ka njeri në Shqipëri, të mendojë se dikush mund të bëjë burg vetëm sepse ka inat me Salianjin?, tha ai në emisionin “Të paekspozuarit”  në News 24.

Ai shtoi se këtë çështje nuk mund ta hetojnë vartësit e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Prokuroria nuk ka bërë hetim se për cilën palë ka qenë aktor ky person. Ka patur një dëshmitar të vetëshpallur, i cili një ditë pas ngjarjes, tha kam provën. Një prokuror që do donte të zbardhte të vërtetën, nuk do t’ia linte policisë por duhet ta zbardhte vetë. Nuk mund ti lihet vartësve të Fatmir Xhafës, një hetim i tillë. Në të gjithë veprimet dhe mosveprimet e veta, prokuroria nuk ka patur qëllim zbardhjen e të vërtetës por ka dashur të bëjë alibinë e qeverisë.”, tha ai.

(n.m/BalkanWeb)