TIRANE

I ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në News24, sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi u shpreh se çështja e audio përgjimit e njohur si ‘Babalja’ është e vërtetë dhe çështja nuk është mbyllur. Sipas Bardhit, u provua akuza për trafik droge për Agron Xhafajn dhe PD i përmbahet akuzave.

Pjesë nga intervista:

Adi Krasta: Mirëseerdhët në pjesën e intervistës. Ka zhvillime shumë interesante në PD. Gazment Bardhi vjen në studio, dhe kam një përshtypje se ti ke një dëshirë të brendshme për të ikur tani.

Gazment Bardhi: Jo. Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam ardhur me kënaqësi dhe do shkëmbejmë disa mendime dhe disa informacione që kanë interes për ju dhe për publikun, në mënyrë të hapur dhe pa asnjë problem.

Krasta: Ti, tek të gjithë ata që të kanë përshkruar, në harkun e këtyre 24 orëve që kam kërkuar une informacion për ty, thonë që ai është një natyre që vjen nga një e kaluar apolitike, eksperti, dhe që është një djalë i mirë dhe që punon fort. Ka një gjë aty që nuk të bind. Që duke qenë një prurje e re, ka rrezikun e madh, që dashurpadashur, të bësh plastelinën. Ka shans të ndodhë kështu?

Bardhi: Nuk mendoj. Sigurisht që unë kam bërë detyrën time deri tani në profilin e ekspertit. Sigurisht që kam qenë prej 5 vitesh këshilltar ligjor i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ky është një funksion politik. Pavarësisht se kam mbajtur qendrime për të qenë personalisht i fshehur, pra jo në dukje, në public.

Krasta: Dalja në publik i jep një lloj shqetësimi, një natyre të tërhequr, për të cilin s’dihet pothuaj asgjë aktualisht, në takimin publik…

Bardhi: Jo, nuk më krijon asnjë bezdisje. Sigurisht që kjo nuk është dalja imë e parë televizive. Unë kam dalë edhe më parë. Kam qenë pjesë e aksioneve të rëndësishme të Partisë Demokratike,…

Krasta: E kuptova. Flasim për një nga këto ballafaqime publike shumë të forta. Si jurist, kjo historia me lënien, ndërprerjen, nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe rezultati sipas tyre, se Babalja ishte një jongjarje, bashkë me tërheqjen paradokohësh nga ana e Alibeajt, në raport me – ndoshta – dhënie informacion për ngjarjen, kjo praktikisht nuk të vendos ty në një pozicion të paqartë dhe të paqendrueshëm, dhe jo domosdoshmërisht të pranueshëm?

Bardhi: Që në ditën e parë, kur ne kemi bërë atë denoncim, kemi qenë të qartë mbi rolin që do të mbante institucioni i prokurorisë. Kemi disa vite që me fakte dhe prova, paraqesim për opinionin public një qendrim të qartë: Prokuroria është sot tërësisht e kontrolluar nga qeveria.

Krasta: Le ta marrim këtë si të mirëqenë. Por në fakt, ngjarja me regjistrimin e Babales, ishte një set-up nga ana e Salianjit psh?

Bardhi: Jo, kjo është e pavërtetë. Ne e kemi dokumentuar dhe provuar për opinonin publik se ajo është një ngjarje tërësisht e vërtetë. Është tashmë e provuar edhe nga hetimet që ka bërë prokuroria, që i vëllai i ish-ministrit të brendshëm, zotit Xhafaj, ishte i përfshirë në aktivitet kriminal të trafikut të drogës. Sigurisht që ne nuk prisnim ndonjë rezultat ndryshe nga prokuroria, që t’i jepte të drejtë opozitës në këtë denoncim, por kjo është një çështje që vazhdon të jetë ende nën hetim, pra nuk ka përfunduar ende hetimi lidhur me kallzimin e rremë, ndëkohë që ka patur një pezullim të hetimeve për Agron Xhafajn, vëllain e ish-ministrit të brendshëm për trafik droge. Prokuroria ka pezulluar hetimet dhe ia ka kaluar përsëri për hetime Policisë së Shtetit. Pra, e njëjta formë si konkluzioni për kallzimin e rremë, që u nxor po nga policia e kontrolluar nga Fatmir Xhafa, edhe në këtë rast, policisë së shtetit, e cila është tërësisht nën kontrollin e qeverisë, i thuhet provo akuzat për një familjar të afërt të një eksponenti të rëndësishëm të Partisë Socialiste.

Krasta: Partia Demokratike kishte informacion më përpara për vëllain e Xhafajt. Ajo e bëri të deklaruar për publikun relativisht vonë dhe ka një frikë se në këtë nxitim për ta deklaruar vonë, pra në momentin e përshtatshëm të luftës politike të saj kundër mazhorancës, ekziston një frikë që në këtë nxitim aty ka një set-up, aty ka një lloj kurthi në raport me regjistrimin që iu bë Babales dhe që vërtet zëri mund të mos jetë i tij, dhe Babalja mund të mos jetë pjesë e asaj ngjarjeje, ose zëri mund të jetë i aktorit, siç u tha…e të tjera si këto.

Bardhi: Ne kemi një pohim me gojën e tij, të personit që pretendon se është actor, që ai ka qenë personi i cili është kontaktuar…

Krasta: Pra i përmbaheni akoma sot?

Bardhi: Absolutisht po. Dhe është e dokumentuar e gjitha që ajo është një ngjarje e vërtetë. Sigurisht që informacionet për përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të brendshëm, zotit Xhafaj, në trafik droge, Partia Demokratike i ka patur shumë më herët nga momenti kur bëri denoncimin public, por nën përgjegjshmërinë që duhet të ketë një parti politike për të mbledhur fakte dhe prova, dhe në momentin që ia prezanton atë publikut, të jetë e qartë dhe e besueshme, ne ndoqëm një strategji për të verifikuar të gjitha informacionet që na kishin ardhur deri në atë moment. Dhe ishte ai momenti i përshtatshëm kur ne bëmë denoncimin.  Është një çështje që për Partinë Demokratike është e mbyllur. Sigurisht që nuk presim asnjë zhvillim ndryshe nga hetimet e prokurorisë, se dy ditë pas denoncimit tonë, rezultatin e paracaktuar për prokurorinë , e pohoi me gojën e tij kryeministri Edi Rama.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb