TIRANE- Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është pyetur nga gazetarët për çështjen e audio përgjimit i njohur si ‘Babalja’, ku pretendohet se shfaqet vëllai i tij në pazare droge si dhe pretendimin e kunatit të Albert Veliut, Fredi Alizoti se drejtori i Policisë Ardi Veliu e ka marrë me makinë dhe e ka çuar në Prokurori.

Gjatë fjalës së tij, pas takimit me Zv.Presidentin e Policisë Kriminale Gjermane, Xhafaj tha se nuk dëshiron të flasë më shumë për këtë çështje, pasi ka lënë drejtësisë të japë verdikitin e saj. Ministri u shpreh se është në detyrë për t’i shërbyer qytetarëve, ndërsa sipas tij opozita i del krah krimit duke sulmuar policinë dhe duke zgjedhur si partnerë llumin e këtij vendi.

Pyetje: Z.Xhafaj, tek çështja “Babale 1” njëri prej personazheve të saj, Fredi Alizoti ka implikuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, çfarë komenti keni për këtë?

Ministri Xhafaj: Nuk do të preferoja të bëja një koment për këtë çështje, se boll kam bërë komente për këtë, edhe për një arsye fare të thjeshtë që kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë besoj se kam kulturën e nevojshme, politike, institucionale dhe ligjore që të respektoj në çdo rast autoritetet e drejtësisë dhe vendimmarrjet e tyre.

Për sa i përket çështjes që është duke u përfolur kaq gjatë dhe që është bërë temë dite, është një çështje që besoj që është në një hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. U takon atyre dhe më pas gjykatës që të japin verdiktin rreth kësaj çështjeje. Përsa më përket mua, dua të them se unë jam Ministër i Brendshëm, jam në këtë detyrë vetëm me një qëllim, t’u shërbej qytetarëve të vendit tim.

Jam i fokusuar në përgjegjësitë e mia, jam i fokusuar në atë që është tejet e rëndësishme, në luftën kundër krimit të organizuar në veçanti. Dhe në këtë proces kam përzgjedhur, besoj instrumentet e nevojshëm, një ndër të cilët është edhe operacioni “Forca e Ligjit” dhe Task Forca. Besoj se kam përzgjedhur edhe partnerët e duhur, ndër të cilët padyshim edhe shumë të rëndësishëm për ne në këtë partneritet janë partnerët gjerman me të cilët jemi sot këtu.

Pala tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër që është rruga që t’i dali në krahë krimit me faktin duke sulmuar Policinë. Me faktin duke sulmuar operacionet që strukturat janë angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe kanë zgjedhur instrumente sipas meje të gabuar për ta baltosur të gjithë këtë punë dhe për fat të keq kanë zgjedhur dhe partnerë të gabuar, kanë zgjedhur llumin e këtij vendi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb