E deleguara e Partisë Socialiste për Qarkun Dibër, vijon takimet me zgjedhësit për t’i bindur ata që të votojnë kandidatët e PS në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Së fundmi Balluku është ndalur në Gjoricë të Bulqizës ku ka zhvilluar një takim me banorët e kësaj njësie. Por një nga banorët, tregon se zëvendëskryeministrja jo vetëm që nuk pyeti se çfarë problemesh kanë si komunitet, por nuk i lejoi as të flisnin.

Shefqet Izvira ka qenë prezent në takimin e zhvilluar në një nga lokalet e fshatit ku të pranishëm ishin edhe kandidatja e PS në Bulqizë, Festime Mjeshtri e deputeti Lavdrim Krrashi.

Por, Shefqeti tregon se një nga bashkëfshatarët ka kërkuar fjalën për të ngritur shqetësimet e zonës, ndërsa nuk është lejuar të flasë nga shoqëruesi i Ballukut.

Izvira thotë se tashmë populli nuk mund të mashtrohet me propagandë, ndaj dhe nuk do të votojë ata që i vizitojnë vetëm kur vjen fushata zgjedhore.

“Belinda Balluku erdhi, bëri propagandë. U çu njëri nga Gjorica, ‘ti bëjmë një kërkesë’, tha. U çu një nga shoqëruesit e saj dhe i tha ‘pusho, pusho’. Pse erdhe? Vetëm për të të dhënë votën? Jo, me vdek, s’ta jap. Të hash ti dhe të tallesh me mua? Pse vjen para një muaji nga zgjedhjet? Çfarë jemi ne kalamaj? A jemi gjallë, a kemi vdek, nuk pyet kush për ne! Tha Belinda, ‘prit të flas unë’.. edhe pasi mbaroi, tha ‘befshi ditën e mirë’. Po ti a erdhe të pyesësh ca hallesh ka populli? Thuaj këtë mund ta bëj, këtë jo. Mbaroi fjalët e saj e iku. Po pse ne kalamaj jemi? Dhe atë shtesën e 50 mijë lekë… po vit për vit more kanë dhënë. Por për të shit votën? Jo nuk i dua. Unë dua rrugën. Të shitem unë 50 mijë lekë? Jo! Po e meritove si shtet të votoj… më bini rrugën, ujin vaditës”, shprehet ai.

Fshati Çerenec i Poshtëm në Bulqizë dikur kishte 250 familje, ndërsa sot kanë mbetur rreth 30% e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb