Dhe vjen parakalimi i Bajernit të Mynihut ndaj Borusias së Dortmundit. Ndonëse dy skuadrat bashkëkryesojnë kampionatin me 57 pikë, bavarezët kanë marrë vendin e parë falë golavarazhit më të mirë, golavarazh që është ndikuar nga fitoret e thella në javët e fundit, teksa as sot, djemtë e Kovaçit, nuk kanë hequr dorë nga goleadat duke mposhtur 6-0 Volfsburgun.


Një takim i luajtur në një sens ai që u zhvillua në “Allianz Arena” dhe që pa të zotët e shtëpisë ta sigurojnë suksesin që në pjesën e parë. Gnaberi dhe Levandovski shënuan në minutat 34′ dhe 37′ për ta çuar Bajernin në epërsinë e dy golave në pjesën e parë.

Në 45 minutat e dyta bavarezët dëfrejnë publikun e tyre dhe me katër gola të tjerë, të shënuar nga Hames në të 52-ën, Myler në të 76-ën, Kimish në të 82-ën dhe sërish Levandovski në të 85-ën. Gjashtë gola që e çojnë diferencën e golave në +35 për Bajernin, ndërsa Borusia mbetet me dy gola më pak në vendin e dytë.

Pikërisht Borusia ka vuajtur jo pak ndaj Shtutgartit, teksa për të çelur ndeshjen është dashur një penallti e Marko Rojs në të 62-ën. Por Shtutgarti ka barazuar me Kempf në të 71-ën duke futur të dridhurat te tifozët e pranishëm në “Signal Iduna Park”, por për të rikthyer qetësinë mendoi Alkaser në të 84-ën, ndërsa në shtesë Pulisiç i vuri kapak suksesit 3-1 të verdhezinjve.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb