Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ka komentuar kandidaturën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begajt, si kandidat për president të republikës së Shqipërisë.

Ky i fundit u propozua nga PS-ja, ndërsa do të votohet nesër në Kuvend. I ftuar në “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, Mustafaj tha se kjo është një zgjedhje shumë e mirë.

Sipas tij eksperienca ushtarake e zotit Begaj do ta bëjë atë një president të mirë, edhe pse ai do të provohet në këtë detyrë të re.

Pjesë nga biseda:
Xhokaxhi: Zoti Mustafaj, tashmë kemi një kandidat për president, ai është zoti Bajram Begaj, cili është komenti juaj?
Mustafaj: Nuk e njoh personalisht, por mua më vjen mirë, sepse detyra që ka ai, përvoja që ka ai, është një lloj garancie për integritet për Presidentin e Republikës.
Xhokaxhi: Është i vetmi ushtarak në nivele kaq të larta dhe është mjek?

Mustafaj: Ai ka bërë karrierë në ushtri, ka afër 30 vjet që është në ushtri dhe nuk është i pari mjek që arrin në grada kaq të larta. Përvoja në ushtri, e ka bërë karrierën në ushtri në këtë periudhën kur ushtria ka qenë e hapur, e depolitizuar, është për tu besuar se do të jetë një president i mirë.
Xhokaxhi: Është një zgjedhje e mençur kjo e Ramës?
Mustafaj: Mbetet për tu provuar tani Gjeneral Begaj është i përshtatshëm për President, është një mision krejt ndryshe nga ajo që ka bërë deri më sot. Kemi patur dy president që vinin nga ushtria Moisiun dhe Nishanin, të dy janë përvoja pozitive.
Xhokaxhi: Gjatë gjithë këtyre ditëve edhe pse pati një hermetizim në PS për emrat, sërish dolën disa emra, u duk sikur Rama luajti me efektin surprizë?
Mustafaj: Sigurisht që ka luajtur, është një zgjedhje e Ramës, ai ka surprizuar edhe kryesinë e tij.
Xhokaxhi: Si shihet në sytë e opinionit?

Mustafaj: Publiku do të presë ta shohë në detyrë, unë jam i bindur, duke i bërë një paralajmërim, unë do të thosha që detyrën po e merr në një moment të vështirë për Shqipërinë. Nuk mund të jetë ndryshe përveçse përballë me Edi Ramën, duke iu përmbajtur Kushtetutën. Rama ka deklaruar publikisht që nuk e ka lexuar Kushtetutën, dhe presidenti do të gjendet përballë këtij kryeministri që nuk e ka lexuar Kushtetutën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb