Nga: ZONJA KATERINA

1 pako peta për bakllava, 1 filxhan fruta të grira (kumbulla, kajsi, hurma, rrush, etj), 5 fiq të thatë, 2 lgj sheqer, 1 lgj kanellë pluhur, 1/3 lgj karafil pluhur, ½ filxhan arra, ½ filxhan bajame, 1 ½ filxhan gliko me shalqi, fik, mandarinë, ftua, etj
½ filxhan sherbet nga glikot, 2-3 lgj gjalpë, 2-3 lgj vaj ulliri

Sherbeti:
1 filxhan sheqer, 1 filxhan ujë, 1 lgj lëng limoni

Në një tigan hedhim 1 lugë gjalpë dhe 1 lugë vaj dhe kaurdisim frutat e thata duke shtuar dhe 2 lugë sheqer te aromatizuar me kanellën dhe karafilin pluhur. Fiqtë e thatë më parë i kemi zier për pak minuta me ujë dhe me pak verë (masa ujë – verë e barabartë) që të zbuten.

Grijmë arrat dhe bajamet dhe i përziejmë me pak sheqer, kanellë dhe karafil pluhur. Marrim një tavë, e lyejmë me yndyrë (gjalpë dhe vaj të përzier). Shtrojmë dy petë në tavë, vendosim më pas një shtresë me arrat dhe bajamet. Vendosim përsëri dy petë dhe bëjmë shtresën e dytë me frutat e thata të aromatizuara. Vendosim përsëri 2 petë të tjera dhe shtrojmë shtresën e tretë me frutat gliko të prera në kubikë të vegjël. Vendosim 2 petët e fundit duke i spërkatur me yndyrë. E presim bakllavanë në racione dhe e vendosim në furrë të piqet në temperaturën 180-200 gradë Celsius për 20-25 minuta.

Pasi kemi përgatitur sherbetin që e kemi zier për 10 minuta, shtojmë të sherbeti dhe sherbetin e frutave gliko dhe e lemë të ftohet. Heqim nga furra bakllavanë dhe hedhim në mënyrë graduale sherbetin. E lemë të ftohet dhe më pas e servirim (Kjo ëmbëlsirë konsumohet më mirë ditën tjetër).

(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb