Bekim Balaj, futbollisti kuqezi i grumbulluar nga Panucci, ka folur sot në konferencë për shtyp në lidhje me dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në Ligën e Kombeve.

“Bomberi” shkodran është shprehur se në skuadër momentalisht është një grup që e njeh njëri-tjetrin dhe se ka ardhur koha për të fituar.

“Ka emra të rinj në Kombëtare dhe mendojmë se do të bëjmë mirë. Në miqësore nuk dolëm mirë por tani janë ndeshje zyrtare dhe kemi në Kombëtare lojtarë me më shumë eksperiencë. Ekipi është mirë dhe kemi vazhduar stërvitjen. Jemi grup që njohim njëri-tjetrin dhe jemi gati për ndeshjet.

Kombëtarja ka bërë ndeshje të mira edhe më parë dhe nuk duhet gjykuar nga 2 ndeshje miqësore. Ka ardhur momenti të shohim fytyrën e vërtetë të Kombëtares.

Ndihem mirë pasi kam luajtur një pjesë të mirë të ndeshjeve në Rusi. Shpresoj të jem pjesë e formacionit dhe peshë do të kemi. Kushdo të luajë do të japë maksimumin dhe do të mbajë peshë.

Rivaliteti? Ka qenë gjithmonë i lartë dhe jemi lojtarë në formë. Mbetet për t’u parë në fushë dhe është trajneri që vendos se kush do të nisë por secili nga ne do të bëjë më të mirën për të fituar.

U bë kohë që nuk shohim dy sulmues në Kombëtare dhe pse jo, të jemi këtë herë me Gurin. Varet nga loja që do të zgjedhim dhe nëse luajmë me krose do të ishte mirë me dy sulmues në zonë që janë dhe shtatlartë.

Ndeshjen me Izraelin e kishim jo larg dhe nuk flasim dot me siguri, pasi forcën e pamë edhe në Izrael. Të gjitha skuadrat kanë bindjen e tyre, por fusha do të tregojë se kush fiton.

Ashtu si Balaj që i përshtatet ekipit, duhet edhe ekipi të më përshtatet mua, por gjithsesi unë jam ai që duhet të përshtatem me 10 lojtarët. E dimë kontributin e Roshit dhe Sadikut ndihet mungesa e tyre por iu uroj rikthim të shpejtë dhe më të fortë”, u shpreh Balaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb