Këtë të enjte, e ftuar në emisionin “FrontLine” të gazetares Maresla Karapanço, ishte ish-ministrja Edith Harxhi.

Ajo komentoi zhvillimet e fundit në samitin e Beogradit dhe “Open Ballkan”. Sipas Harxhit, kjo nismë e çon Shqipërinë në Jugosferë.

Ajo më tej, nënvizoi faktin se gjatë fjalës së tij në samit, Rama nuk ka mundur të flasë për masakrat dhe gjenocidet serbe dhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

Marrëdhënia Vuçiç –Rama?

Harxhi: E shoh shumë të ngrohtë, midis dy individëve që kanë përvetësuar politikën individuale. Edhe pse jemi me idenë të fqinjësisë së mirë, kemi përpara një Serbi që para 20 vitesh ishte një tjetër. Vuçiç bën retorikë të pastër kur lidh çdo gjë me Tiranën dhe anashkalon Prishtinën. Nuk pres më tepër, por pres nga kryeministri i vendit tim që nuk duhet të bie pre e kësaj.

Si e shihni incidentin me flamurin shqiptar në Beograd?

Harxhi: Incidente të tilla ka plot, sidomos në Beograd. Unë mendoj që nuk është fitore aq e madhe se sa valëvitet flamuri shqiptar në Beograd. Nuk është çudi. Do të shihja me interesat ë madh nëse do të valëvitej flamuri i Kosovës. Megjithatë ekstremistë Serbia ka plot. E kuptoj që ky nuk është incident diplomatik, por nga ana tjetër Serbia kurrë nuk ka kërkuar falje publike për masakrën në Kosovë. Unë nuk dëgjova në fjalimin e zotit Rama të përmendet ndonjë fjalë për gjenocidin. Nuk e kam dëgjuar zotin Rama që të kërkojë gjetjen e shumë të zhdukurve që mendohet se janë varrosur në varre masive në Serbi dhe gjetkë. Rama shkon atje të flasë si përfaqësues i Shqipërisë. Fjalë tjetër që nuk dëgjova të përmendet është situata e adresave në Preshevë. Nuk dëgjova asgjë për marrëveshjen për njohjen e diplomave. Ne kemi që në vitin 2014 e deri më sot, ku Rama ka disa premtime e ka nënshtruar disa marrëveshje, ku nuk janë përmbajtur.

Pse duhet të ketë arbitër ndërkombëtar?

Harxhi: Pse duhet që partnerët ndërkombëtarë duhet të negociojnë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë? E shtrojmë kështu pyetjen. Kosova nuk është në konflikt me asnjë vend. Edhe në Bosnje ka një partner ndërkombëtar. Ideja është që Serbia nuk është e gatshme të bëjë asgjë pa arbitër ndërkombëtar. Këta të dy e kanë nisur këtë nisëm për të treguar një rol partneralist. Për mua nuk është as Ballkan i Hapur e as i mbyllur. Kjo është përfshirja e Shqipërisë në Jugosfer.
Rama ka pasur deklarime që nuk ka rikthim të Jugosllavisë?
Harxhi: Kemi të bëjmë me një udhëheqës si Vuçiç. Kosova është në një tryezë bisedimesh me Serbinë, e për aq kohë sa ajo ndodh në praninë e Borell, nuk shoh arsye që Kosova të shkojë e t’i bëj qejfin dy liderve Rajonalë për një nismë të ndërmarrë prej tyre. Çfarë do të diskutonte Kurti në Beograd, ku para tre javësh tanket e Serbisë kanë qenë në kufi të Kosovës. Nëse flasim për lëvizje të lirë të qytetarëve, kjo ka ndodhur prej kohësh. Në qeverinë Berisha ne kemi bërë disa marrëveshje për lëvizjen me karta ID. Si mundet të shkojë Albin Kurti në Beograd ku para tre javësh ministri serb doli dhe tha se Thaçi është kasapi. Ne kemi problemin e sigurisë. Qytetarët e Kosovës kanë problemin e mallrave serbe. A e dini se çfarë ndodh me mallrat e Serbisë në Kosovë, futen të pa tatuara, ka kontrabandë të madhe. Serbia duhet të pajtohet me idenë që Kosova është shtet i pavarur. Nuk shoh ende asnjë shenjë të një keqardhje për atë që ka ndodhur, gjenocidin ciklik në Kosovë dhe Bosnje.

Harxhi u ndal dhe te zhvillimet e brendshme të PD. Ajo nënvizoi se partia ka nevojë për bashkim, protesta masive dhe rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Rama, e për këtë, ajo u shpreh e gatshme që të bashkohet me cilëndo nismë që premton zhvillim dhe frymë bashkimi.

Situatë disi e vështirë midis ish-liderit dhe lidierit aktual. Do të keni mundësi për të kandiduar për kreun e PD?

Harxhi: Unë mundësinë do e kem, por unë nuk preferoj të kandidoj, sepse mendoj që kemi sfida të tjera përpara dhe një nga ta është largimi i zotit Basha. Sfida e dytë do të jetë bashkimi dhe e treta do të jetë kthimi në një parti konservatore dhe e sigurisht largimi i Edi Ramës. PD tani ka nisur të bashkohet. Janë afërsisht 70% të delegatëve të Kuvendit që kanë nënshtruar tashmë, e unë i përkas idesë që ku shkojnë demokratët shkoj dhe unë. Ne urgjentisht, duhet të përgatisim një program, përfshirë dhe protestat, për të shkundur nga themelet qeverinë e Ramës.

Çfarë prisni nga 11 dhjetori?

Harxhi: Për mua nuk është Kuvend anti-amerikan, kjo është gafë e madhe. Amerika ka një parim bazë, që është respektimi i votës, e kjo po tregohet pikërisht tani. Zoti Basha mund të zgjedhë të marrë pjesë ose jo në të, por ky Kuvend do të ketë çështje themelore, do të ndryshojë statutin e PD, do të jetë program konservator. Gjithsesi mendoj që zoti Basha duhet të shkarkohet, për arsye për gjithçka që ka shkatërruar. Ai ka bërë gjithçka gabim dhe do të ishte absurde të mos shkarkohej. Unë kam kërkuar dorëheqjen e tij në vitin 2017. Ai ka shkelur statuin e PD, ka përzënë nga partia palcën e PD. Vazhdon të bëj marrëveshje politike në dëm të demokratëve dhe pas 8 vitesh në opozitë nuk arriti të sillte në pushtet demokratët.

Ju e mbështesni rikthimin e Berishës?

Harxhi: Unë mbështes rikthimin e shpresës e po shoh që demokratët pas kaq shumë vitesh po shkojnë drejt shpresës. Nuk përbën problem kjo. Përgjegjës për situatën e krijuar ka shumë, një ndër ta është dhe zoti Berisha. Shkarkimet ose bëhen me Kuvend, ose nuk bëhen fare. Unë dua të shoh protesta si ajo e Rumanisë, Ukrainës, që nuk ngrihen nga sheshi dhe duan me të vërtetë ndryshim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb