Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit të madh në Elbasan.

Duke folur për sfidat e biznesit të madh, Balla tha se mbështetja e qeverisë është ndjerë dhe se të gjithë e dinë se çfarë ndodh nëse opozita vjen në pushtet.

“Mbështetjen e qeverisë sonë ndaj biznesit e keni ndjerë ju bizneset e mëdhaja të Elbasanit dhe ju e dini fare mirë se çfarë mund të ndodhë në një rast hipotetik sikur qeveria t’i besohet Monikës, Gon Dukës, Dash Shehit, Shpëtim Idrizit, Nard Ndokës. Secili nga këta në një inspektoriat dhe ti të zgjohesh në mëngjes me inspektorin e Monikës, Nardit, Shpëtimit, Dashit. Dhe ju e dini për ça vijnë, vijnë për t’ju kërkuar taksën e secilit prej tyre.

Ky është një argument që ma dha një nga bizneset më të mëdha të Elbasanit, i cili edhe pse është i djathtë nga natyra familjare, më tha që unë nuk mund të votoj dot për Lulzim Bashën dhe që në derën e biznesit tim të paraqiten 1 nga 1 të gjithë inspektorët e të gjithë këtyre mbetjeve fosile në këto 30 vjet. Ne si parti nuk kemi aleancë me ndonjë parti tjetër, ne kemi një aleancë me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi.”, tha Balla.

Më tej gjatë fjalës së tij Balla theksoi se biznesi duhet të mbështesë njerëzit e duhur për tu përfaqësuar në Parlament. Balla shtoi se ekipi i Partisë Socialiste ka program me pika konkrete, teksa nuk nguroi të ironizonte as kreun e PD, Lulzim Basha.

“Është koha që kjo përpjekje për të transformuar Shqipërinë të ketë mbështetjen tuaj si biznese të mëdha. Biznesi duhet të mbështesë njerzit e duhur për t’i pasur përfaqësues në Parlament. Prandaj nëse kerkoni një program, një ekip dhe kërkoni një lidership ato janë vetëm tek Edi Rama, tek ekipi i Partisë Socialiste dhe tek ky program i Shqipërisë 2030 me pika konkrete.

Një parti serioze nuk mund të vijë para njerëzve me një ofertë pa përmbajtje. Si mund të thotë një kompani që unë do ul të ardhurat dhe do rris shpenzimet? Kjo është matematika më e thjeshtë. Lulzim Basha thotë do ul të ardhurat dhe do rris shpenzimet.”, deklaroi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb