ELBASAN

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla zhvilloi një bashkëbisedim me studentë të Elbasanit, ku u ndal tek kushtet e krijuara në auditore për shkak të pandemisë e deri tek investimet që po kryhen përsa i përket infrastrukturës së universiteteve dhe konvikteve. Balla u ndal tek një orientim i duhur i universiteteve në drejtim të kërkesave të tregut për të siguruar në këtë mënyrë një punësim të sigurt të tyre pas shkollimit.

Ai theksoi se sot kadastra e Elbasanit kërkon të punësojë 3 topografë, por askush nuk ka aplikuar. Duke u nisur nga kjo, Balla vuri në dukje ndryshimin e jashtëzakonshëm përsa i përket arsimit profesional i cili në 2013 shënonte rreth 600 nxënës ndërsa sot janë mbi 2500.

Po ashtu, afrimi i universiteteve prestigjoze europiane dhe jo vetëm, tha Balla, do të krijojë kushte të favorshme për të rinjtë që të mos largohen për studime jashtë, por universitetet prestigjoze ndërkombëtare t’i kenë këtu.

Duke u ndalur tek çështja e shumëdebatuar e largimit të të rinjve Balla tha se shumë vende përballen me një fenomen të tillë, por fokusi drejt orientimit nga tregu i punës do të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim. Para studentëve Balla vuri në dukje dhe reformën kryesore, që do të sigurojë drejtësi në Shqipëri.

“Të rinjtë besojnë tek drejtësia e re që po ngrihet mbi rrënojat e drejtësisë së vjetër. Ata po shohin me shqetësim se si Ilir Meta dhe Sali Berisha po sulmojnë Reformën në Drejtësi dhe përfaqësuesit e të keqes duhen ndëshkuar përfundimisht.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb