FIER

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur nga Fieri për dosjen CEZ-DIA. Ai deklaroi se ka përshëndetur njoftimin e bërë nga mediat, jo zyrtarisht nga SPAK për të marrë në pyetje një prej dëshmitarëve kryesorë në dosjen e CEZ.

Balla tha se Kuvendi është investuar në atë çështje nëpërmjet komisionit hetimor parlamentar dhe se është detyrim i drejtësisë së re dhe secilit prej nesh zbardhja e kësaj afere.

“Kuvendi është investuar në atë çështje në një komision hetimor parlamentar. Raporti është depozituar në 2017 në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokuroria nuk kreu hetime për një nga aferat më të rënda korruptive në 30 vitet e fundit.

E kam përshëndetur njoftimin e bërë nga mediat jo zyrtarisht nga vetë SPAK-u për marrjen në pyetje të një prej dëshmitarëve kryesor në dosjen CEZ.  Nuk e di në çfarë statusi është marrë z.Ismailaj, por nëse pranon të bashkëpunojë me drejtësinë në funksion të zbardhjes është diçka e mirë.

Të mos harrojmë që kuvendi ka denoncuar publikisht Sali Ramë Berishën dhe bashkëpunëtorë apo familjarë të tij lidhur me këtë çështje. Mendoj që prokuroria duhet t’i marrë të gjithë në pyetje”, tha Balla.

Ai deklaroi më tej se në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor përkatës prej 2017 i ka kërkuar prokurorisë të thirret për t’i vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës.

“Mendoj që zbardhja e kësaj çështje është jo vetëm një detyrim i drejtësisë së re, por është një detyrim edhe i secilit prej nesh që është në dijeni të atij krimi.
SPAK duhet të informojë publikun nëse është hapur kjo çështje”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb