TIRANË

A ka një ekzaltim nga ana e maxhorancës pas shpalljes non-grata të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe një lloj qëndrimi se vala e tsunamit nuk do shkojë dhe tek ta? Taulant Balla mendon që jo, por vetë nuk e fsheh një farë ekzaltimi.

Ai deklaroi në “Real Story” në News24 se hetimi apo ndëshkimi i politikanëve të korruptuar është sot testi i vërtetë i drejtësisë së re që po lind mbi gërmadhat e drejtësisë së vjetër. Sipas Ballës PD duhet të respektojë standardin dhe t’i kërkojë Berishës të dorëzojë mandatin.

“Natyrshëm as Shqipëria nuk do bëjë përjashtim nga vende që kanë kaluar në këtë proces. Kujtoj Rumaninë apo Kroacinë. Ka dosje me fatura të mëdha, me fatura jetësore shumë të larta, njerëz që kanë humbur jetën për shkak të keqmenaxhimit apo urdhrave të paligjshëm të Sali Berishës. Unë po flas dhe për dosje të tjera, të cilat janë sot në SPAK. unë jam njeriu që i kam depozituar, Sali Berisha është në të dyja dosjet dhe të CEZ. E kam parë të ngrihet në emisioni të thotë se nuk ka pasur asnjë akuzë për korrupsion ndaj tij. Në Austri është marrë në hetim kryeministri Kurz sepse gjatë një dëshmie në një komision hetimor parlamentar ka dhënë një deklaratë të pavërtetë. Në Austri ndëshkohet deri në 3 vite burg për këtë deklaratë. Ky është lajmi më i madh në Austri prej disa javësh. Në Shqipëri Sali Berisha ka qenë në hetim nga një komision hetimor për çështjen CEZ. Berisha ka qenë dhe e ka gënjyer atë komision dhe komisioni hetimor ka konkluduar me një raport që ka marrë 74 vota, përfshirë dhe votën e Presidentit aktual ose të shkarkuar zotit Ilir Meta në vitin 2017. Për të mos shkuar tek çështja e kompleksit Partizani që po aq e rëndë. Nuk ka pasur ekzaltim. I vetmi që ka reaguar me një lloj ekzaltimi kam qenë unë, por unë kam pasur një sërë çështjes. Berisha për akuzat që kam bërë ndaj tij më ka paditur në gjykatë për shpifje. Tani ka vendosur të padisë për shpifje dhe SHBA-të. Sa ia doli me mua, aq ka për t’ia dalë me SHBA-të. më vjen mirë për vëmendjen e madhe të SHBA, më vjen keq që Shqipëria ka prodhuar kaq shumë negativitet. Në atë listë është presidenti i vetëm i shpallur non grata nga SHBA-të. Ky është niveli top i asaj liste. Ajo që e bën më të papërtypshme gjithë këtë situatë është reagimi i Sali Berishës. Institucionet e drejtësisë të paktën duhet t’i përgjigjen pritshmërive të qytetarëve. Ne jemi në kushtet që kemi një drejtësi që është sot në test nga qytetarët shqiptarë. Besoj që gjërat do të ecin për mirë. Ajo që PD-ja duhet të bëjë në rastin në fjalë është që të respektojë standardin dhe t’i kërkojë zotit Berisha të dorëzojë mandatin dhe do Zoti hyn Ori Nebiaj, kush hyn në vend të Saliut”, deklaroi Balla.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: