Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, iu përgjigj akuzave të opozitës në Kuvend, lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, shpërndarjen e ndihmave dhe tenderin e dhënë nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Për këtë të fundit, Balla tha se gjithçka është ripërsëritje e telenovelës “Babale”, pasi ministrja Xhaçka ka vepruar njësoj si Lulzim Basha me tenderin e ushqimeve në Shkodër, kur ishte ministër i Brendshëm.
Sa i takon ndihmave, numri dy i PS theksoi se qeveria dhe bashkitë po kujdesen që të mbështesin të gjitha familjet në nevojë, në mbarë vendin.
Duke u ndalur te Kodi Penal, Balla vlerësoi frymën bashkëpunuese të liderëve politikë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë dhe lexoi dy nenet, që parashikojnë ndëshkimet në raste pandemish.
“Në nenin 242, pika 1, gjatë gjendjes së emipidesë “mos zbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore, në funksion të gjendjes së epidemisë, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, dënohet me gjobë ose burgim deri në 6 muaj. Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose deri në 2 vite burg. Moszbatimi i urdhrit për karantimin ose izolimin, apo shkelja e rregullave të karantinës, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me burgim 2-3 vite.
Neni 89/b, “për përhapjen me dashje të sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nga personi që është mbartës i sëmundjes apo personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim 2-5 vjet. Kur kjo vepër bëhet nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose 2 vite burg. Kur kjo gjobë ka shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim 3-8 vite””, tha Balla.
Fjala e kreut të grupit socialist:
Së pari, kishte një sërë kolegësh që kërkuan të mbanin një minutë heshtje sot, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. Por besoj se në një moment tjetër kryetari i Kuvendit do ta shqyertojë këtë kërkesë dhe padyshim që Kuvendi do të mbajë një minutë heshtje, por kujtoj se jemi ende në luftë.
Së dyti, kishte akuza për operacionin humanitar. Është bërë një punë kolosale e qeverisë dhe bashkive. Nuk ka munguar kujdesi në 28 mijë km2 e vendit për të garantuar që çdo familje realisht në nevojë të marrë ndihmë. I gjithë ky proces i operacionit humanitar është i buruar nga aktet normative të qeverisë dhe që bashkitë po e zbatojnë.
Tjetra, u bë një pyetje ‘pse sot këto ndryshime në Kodin Penal?’ Po sepse kjo seancë u bë sot, kur lufta nuk ka mbaruar. Ndryshimet janë një përshtatje në realitetin shqiptar të shumë vendeve të tjera. Në ligjin e miratuar nga Rumania, që e kam përpara, ndëshkimet shkojnë deri në 15 vite burg. Nëse do merrni dy draftet, atë shqiptar dhe këtë rumun, janë tërësisht më të vogla masat shtrënguese të parashikuara në këtë vend evropian.
Më vjen shumë keq që në një moment kaq të rëndësishëm, na duhet të humbasim kohë dhe energji me baltën e PD kundrejt ministers së Mbrojtjes, Xhaçkas. Është thjesht një ripërsëritje e sezoneve të telenovelës Babale, që nuk ka asnjë lidhje me proceset. E gjithë procedura e ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes është si dy pika ujë me procedurat që Basha ka kryer për blerjen e ushqimeve në Shkodër, kur ishte ministër i Brendshëm, bazuar në të njëjtin kuadër ligjor të prokurimeve.
Së fundi, duke vlerësuar frymën bashkëpunuese të shprehur në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, do doja të lexoja propozimet, në bashkëpunim edhe me grupet parlamentare, për të arritur në një dokument integral të dy neneve që kanë lidhje me masat ndëshkuese e penalitetet, që lidhen me pandeminë COVID-19.
Në nenin 242, pika 1, gjatë gjendjes së emipidesë “mos zbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore, në funksion të gjendjes së epidemisë, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, dënohet me gjobë ose burgim deri në 6 muaj. Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose deri në 2 vite burg. Moszbatimi i urdhrit për karantimin ose izolimin, apo shkelja e rregullave të karantinës, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me burgim 2-3 vite.
Neni 89/b, “për përhapjen me dashje të sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nga personi që është mbartës i sëmundjes apo personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim 2-5 vjet. Kur kjo vepër bëhet nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose 2 vite burg. Kur kjo gjobë ka shkaktuar pasoja të rënda, dënohet me burgim 3-8 vite”.
(BalkanWeb)