Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me biznesmenin Edmond Bego nga Elbasani kur inspektoi me kryetarin e bashkisë Qazim Sejdini punimet për rikonstruksionin e rrugëve “Çaush Asllani” dhe “Ismail dhe Xhemali Debrova”.

Balla i quajti shpifje akuzat e deputetit demokrat Edmond Spaho se Edmond Bego ka përfituar 1 miliard lekë nga buxheti i shtetit nëpërmjet një tenderi të OST. Ai tha se disa janë votuar për të bërë punë e disa për të bërë llafe.

“Nuk ka asnjë dyshim që Bashkia Elbasan është një prej modeleve më të mira të qeverisjes lokale që ne ofrojmë për qytetarët. Rruga që inspektojmë sot është një prej arterieve më të rëndësishme lidhëse të dy lagjeve më të mëdha të Elbasanit me qendrën e qytetit.
Këtu janë të gjitha nivelet e punës, kanalizimet e ujërave të zeza, uji i pijshëm, troturaret dhe sigurisht një cilësi shumë e mirë e asfaltit që garanton jetëgjatësi dhe një punë të shkëlqyer.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, i cili nuk pushoi gjatë kësaj vere, por qëndroi në krye të këtyre punëve, erdhëm sot për të inspektuar këto punime dhe për të parë vijimin e punës intensive, në atë që ne e quajmë kantieri i Rilindjes Urbane të Elbasanit, jo vetëm në qendër, por tashmë po përfundon edhe në lagjet më periferike të këtij qyteti.
Ky qytet meriton më shumë dhe ne jemi të angazhuar t’i qëndrojmë punës, sepse ne jemi të zgjedhur për të bërë punë. Ka ca të tjerë, që ju i dini kush janë, që janë të votuar vetëm për të bërë llafe dhe shpifjen e kanë pjesë të mentalitetit të punës së tyre”, deklaroi Balla nga Elbasani.

Kryetari i Bashkisë Sejdini tha se ky aks rrugor i shërben edhe disa institucioneve të rëndësishme, siç është institucioni i drejtësisë në Elbasan:.
“Më vjen mirë që pas një bllokimi prej gati 4 muajsh, më në fund arritëm të bëjmë një nga rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit, rrugë kryesore edhe për faktin e shpërnguljes së institucioneve të drejtësisë në këtë zonë.
Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se kjo është një rrugë lidhëse midis qendrës së qytetit të Elbasanit dhe lagjeve ‘5 Maji’ dhe ’11 Nëntori’ dhe koha e ndërtimi të rrugës është shumë e shpejtë, 90 ditë.
Ne jemi duke plotësuar të gjitha premtimet që u kemi dhënë qytetarëve dhe do të vazhdojmë me investime intensive, jo vetëm në qytetin e Elbasanit, por në të gjithë Bashkinë e Elbasanit.”, tha Sejdini.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb