Kryatari i Grupit Parlamemtar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur disa reagimeve të sotme të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë masat shtesë që sjellin ndryshimet në Kodin Penal në luftën ndaj koronavirusit.

Balla ka postuar në rrjetin social facebook një video të një personi të papërgjegjshëm në Bruksel, i cili me veprime të qëllimshme përhapte sekrecionet e tij në mbajtëset e përbashkëta të trenit.

Numri dy i PS, Balla shtron pyetjen nëse një person si ky “killer” e bën këtë veprim në Shqipëri, duke helmuar një banak në dyqan, mbajtësen e një shkalle, apo në mjet të transportit publik, me çfarë vepre penale mund të akuzohet e të ndalohet ky person i papërgjegjshëm?

Ndaj, sipas Ballës masat shtërnguese janë të domosdoshme për ata që shpërndajnë/përhapin armikun me dashje.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Në ditët e para të luftës me Covid-19, u përhap në rrjet një video në një tren në Bruksel, ku një person i papërgjegjshëm me veprime të qëllimshme përhapte sekrecionet e tij në mbajtëset e përbashkëta të trenit. Pamjet ishin të tmerrshme, teksa frika e shpërndarjes së koronavirusit dhe masat shtërnguese po fusnin në karantinë globin.

Nuk vonuan dhe në Shqipëri shpërndarësit e njohur të lajmeve të rreme si puna e Sali Berishës apo dhe ndonjë që e quan veten “shoqëri civile”, të cilët nxituan të akuzonin se ky akt kriminal kish ndodhur në një urban në Tiranë.

Por një ditë më pas policia belge e arrestoi personin dhe sipas BITC personi ishte i intoksikuar. Nuk di kush është vepra penale për të cilën personi është arrestuar në Belgjikë.

E risolla këtë rast në vëmendje për t’iu përgjigjur disa reagimeve të sotme kundër masave të tjera shtesë që sjellin ndryshimet në Kodin Penal.

Pyetja që shtrohet ështe në rast se ky “killer” e bën këtë veprim në Shqipëri duke helmuar një banak në dyqan, mbajtësen e një shkalle, apo në mjet të transportit publik, me çfarë vepre penale mund të akuzohet e të ndalohet ky person i papërgjegjshëm?

Prandaj ju lutem kujtdo që nuk e kupton që kjo është një luftë, vazhdoni të rrokulliteni në divan, por masat shtërnguese janë të domosdoshme për ata që shpërndajnë/përhapin armikun me dashje.

ME DASHJE!!!

Në shumë vende europiane masat shtërnguese të karantinës dhe distancimit social, po shoqërohen me aktualizim të parashikimeve të Kodit Penal me nevojat dhe domosdoshmëritë që ka sjellë lufta me Covid-19. Hetimi epidemiologjik i disa rasteve në Shqipëri, rastet më të fundit në Elbasan, ka zbuluar se persona të caktuar mbartës ose jo të koronavirusit kanë shkelur me dashje masat shtërnguese të karantinimit, distancimit, të ushtrimit të aktiviteteve të ndaluara gjatë periudhës së fatkeqësisë, duke shkaktuar për shkak të veprimeve të tyrë të papërgjegjshme përhapje të epidemisë së Covid-19.

Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe duhet të dënohet penalisht.

Me qëllim parandalimi i përhapjes së Covid-19, përvec sanksioneve administrative për të gjithë ata persona që do të shkelnin masat e marra, të vendosura nga organet shtetërore, është e nevojshme që të parashikohen dhe sanksione në Kodin Penal, për disa veprime dhe mosveprime të caktuara, duke marrë në konsideratë rrezikun që kanoset për jetën dhe shëndetin nga përhapja e epidemive të sëmundjeve ngjitëse, apo në situata në tjera në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Nisur nga kjo nevojë e menjëhershme për aktualizimin e Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë me situatën e krijuar, Kuvendi i Shqipërisë do të marrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës së njerëzve nga çdo person që kryen veprime që bien ndesh me masat mbrojtëse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb