Edhe pse kushtet atmosferike deri tani kanë qenë të përshtatshme, rritja e temperaturave në ditët në vijim kërkon marrjen e masave për të siguruar vaditjen e tokave bujqësore.

Kanali kryesor që vadit mijëra hektarë tokë bujqësore në Elbasan dhe Cërrik është pastruar dhe tashmë është gati për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja dhe inspektoi vijimin e punimeve tek diga e marrjes së ujit nga lumi Shkumbin dhe drejtimin e tij për në kanalin vaditës.

Në fjalën e tij Balla tha se duhet të bëjmë çdo gjë për të mbështetur familjet që e kanë lidhur jetesën e tyre në fshat dhe me prodhimin bujqësor.

“Pas disa ditësh hyjmë në një sezon në bujqësi ku kanalet vaditëse janë jetike dhe të gjitha prodhimet bujqësore të Elbasanit dhe Cerrikut varen nga ky kanal vaditës.

Kanali Naum Panxhi është një kanal që furnizon me ujë vaditës mijëra hektarë tokë bujqësore.
Edhe kanali tjetër, ai i Polis Tudan është po aq i rëndësishëm pasi një pjesë e fermerëve vadisin prej atij kanali.

Edhe mirëmbajtja e kanaleve dytësore është e domosdoshme ndaj dhe njësitë e mirëmbajtjes duhet të jenë në terren pasi situata post COVID-19 shton domosdoshmërinë e rritjes së prodhimit bujqësor në vend.

Po ashtu ne duhet të bëjmë çdo gjë për të mbështetur familjet që e kanë lidhur jetesën e tyre në fshat dhe me prodhimin bujqësor, sepse gjithë ai defiçit që është krijuar për shkak të pandemisë mund të rekuperohet sado pak me një rritje të prodhimit bujqësor. Në këtë kontekst përsëris thirrjen time për konsum të prodhimeve shqiptare” deklaroi Balla.

Ndërsa kryebashkiaku Llatja në fjalën e tij shtoi se pjesa tjetër e rëndësishme e këtij procesi, kanalet dytësore, po ashtu janë pastruar në 98% të tyre.

“Deri tani kemi pastruar 98% të kanaleve dytësore vaditëse në Bashkinë e Elbasanit. Sot po inspektojmë punimet në digën e kanalit të Naum Panxhit. Punimet janë kryer në kohë dhe vaditja do të bëhet pa problem në kohën e saj.
Në terren gjithashtu janë veterinerët dhe agronomët për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.”, tha Llatja.

Duke theksuar edhe një herë rëndësinë e kësaj periudhe për të konsumuar sa më shumë produkte shqiptare, Balla tha se mbështetja në bujqësi do të jetë edhe më e madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb