Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, zhvilloi një bashkëbisedim mbi sfidat dhe vizionin e PS për punësimin, si edhe ndikimin e pandemisë në këtë sektor në Elbasan.

Gjatë fjalës së tij, Balla vuri në dukje se edhe pse nën ndikimin e pandemisë, në qarkun e Elbasanit numri i të punësuarve ishte më i lartë se sa në vitin 2019.

“Edhe pse viti 2020 ishte shumë i vështirë për shkak të efekteve nga pandemia, dua të them që përmes Drejtorisë Rajonale te Punësimit ne kemi arritur që të punësojmë 1341 të punësuar rishtaz në Elbasan dhe ndërkohë që në rast se në vitin 2012 ne kishim vetëm 400 biznese që i referoheshin zyrës së punës, gjatë vitit 2020 ishin plot 3245 subjekte që iu referuan zyrës së punës për të marrë profesionistët që ata kanë nevojë.

Nga vitit 2017 deri në vititn 2020, në Elbasan janë punësuar plot 7646 djem e vajza, burra e gra përmes zyrës së punës, nga të cilët 3831 janë gra dhe vajza, nga programet e nxitjes së punësimit 1392 të punësuar, nga pagesa e papunësisë 415 të punësuar, nga ndihma ekonomike pra që kanë dalë nga kjo punë dhe kanë hyrë në punë 946 dhe nga komuniteti rom ose egjiptian 468, për ne komuniteti rom dhe egjiptian mbetet një komunitet për tu adresuar sepse aty gjenden një pjesë e mdhe e atyre që jetojnë në një varfëri akute.

Normalisht që të shkojmë në këto shifra ka qenë shumë e nevojshme të ndërmerren një sërë masash ku formalizimi zë një pjesë të rëndësishme. Gjatë 2020-tës përmes aplikimeve online në e-albania ne kishim 52 subjekte dhe 192 punëkërkues pa punë ku përmes aplikimeve u gjet mënyra e ndëridhjes së tyre dhe punësimit ndërkohë që si total ishin plot 12500 paga lufte të shpërndara në Elbasan në 3 paketa, në një shifër prej 6.7 milionë dollarësh, të dhëna përreth 4537 subjekte.

Ndërkohë që për studentët e sapodiplomuar kemi arritur të konkretizojmë një prej pikave të paktit për universitetin. Pagat, duke arritur që praktikat 6-mujore të paguhen përmes zyrave të punës, të paguhen në vlerën 50% të pagës minimale. Duke qenë se ne synojmë ta rrisim pagën minimale në 400 mijë lekë në mandatin e ri, studentët qësapo mbarojnë shkollën dhe duan të bëjnë praktikë do të përfitojnë 200 mijë lekë, gjatë kohës së praktikës, e cila ka një kohë të limituar. Ndërkohë që për personat me aftësi ndryshe u financohet 100% e pagës minimale për 12 muaj pa i kushtëzuar aspak nga statusi që ata kanë. Në Elbasan efektet e pandemisë gjatë vitit 2020, ishin shumë pak të ndjeshme në aspektin e asaj që mbetet objektivi thmelor i yni në Elbasan, punësimi. Në 31 dhjetor 2020 kishim më shumë të punësuar sesa kishim në 31 dhjetor 2019. Në rast se në nivel global efekti i drejtpërdrejteë i pandemisë ishte goditja e vendeve të punës, në Elbasan nuk ndodhi kështu. Kjo nuk do kishte qenë e mundur nëse qeveria nuk do të kishte futur në qarkullim përmes pagave të luftës, por edhe me fondet e mbështetjes, garancisë sovrane, bizneseve që të garantonin vendin e punës.”, tha Balla.

Ai nuk kurseu as ironitë për kreun e PD, Lulzim Basha ku tha se ai kërkon 300 mijë vendet e punës të premtuara nga PS, por problemi i tij, sipas Ballës, mbetet Matematika. Balla gjithashtu vuri në dukje faktin që qeveria ka ulur nivelin e papunësisë në nivelin më të ulët historik, në rang kombëtar.

“Ne betejën për punësimin e kemi fituar pjesërisht, ne e kemi ulur nivelin e papunësisë në rang kombëtar në nivelin më të ulët historik, duke arritur në 31 dhjetor 2019, në nivelin 11%, një nivel që padyshim ka qenë padyshim një përpjekje e madhe. Ajo që degjoni shpesh nga gojëtarët e opozitës se ku i ka PS 300 mijë vendet e punës të krjuara prej vitit 2013, mjafton të hapni librat e sigurimeve shoqërore dhe të shikoni që krahasuar me 31 dhjetorin e vitit 2012, në sistemin e sigurimeve shoqërore për vitin 2019 ne kishim plot 282 mijë më shumë të siguruar dhe të punësuar në tregun e punës së Shqipërisë. Që do të thotë që ja ku janë 300 mijë vendet e punës që Luli i kërkon, por problemi i tij është matematika dhe sa herë që të ketë shifra, Lulit i sugjerohet që të mos hyjë në debat për shifrat se po hyri në debat për shifrat e dimë pastaj ku përfundojmë.”, theksoi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb