Nga Kryesia e Kuvendit doli në një konferencë urgjente kryetar i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili iu rikthye edhe njëherë çdekretimit të datës së zgjedhjeve. Duke arsyetuar në bazë të Kushtetutës, Balla kërkoi zyrtarish në emër të PS, shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, i cili sipas tij, nuk reflektoi edhe pas rezolutës së Kuvendit.

“Zoti Ilir Meta ka humbur kërkesën të qëndrojë në atë zyrë në pëlqimin tonë. Ne socialistët nuk i përkasim kulturës së arbitraritetit dhe dhunimit të ligjit, do e ndjekim në mënyrë rigoroze të gjithë procesin. Shkarkimi do i shkojë për vlerësim Kushtetueses, që ka përgjegjësi të thotë fjalën e fundit. Me këtë rast i kujtojmë zotit Ilir Meta kërkesën e bërë nga Kuvendi në drejtim të tij, përmes rezolutës së miratuar të enjten që të reflektonte. Ai nuk reflektoi, ka sulmuar Kuvendin me një gjuhë jo të denjë. Por ky institucion nuk intimidohet, por i kujton se as ai as ata që braktisën Kuvendin dhe tentuan ta djegin me flakadanë s’kanë asgjë tjetër në dorë veçse nivelit të dinjitetit të tyre. Për sa kohë është President të mos na turpërojë më të gjithëve”,- tha Balla.

Sipas Ballës, me vendimin e tij presidenti ka bërë disa shkelje, mes tyre ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga populli.

‘Në përmbushje të realizimit të zgjedhjeve janë ngritur KZAZ, përgatitur dhe shpallur listat e zgjedhësve, është kryer regjistrimi i partive, janë depozituar listat e ka filluar fushata. Ndërkohë që ka filluar procedura zgjedhore presidenti ka nxjerrë dekretin për shfuqizimin e zgjedhjeve më 30 qershor 2019. Arsyet e dhëna nga Presidenti kanë të bëjnë me shqetësimin e thellë për situatën politike, se kushtet aktuale s’do siguronin zgjedhje të vërteta gjithëpërfshirëse, bindjen se kjo është mënyra që ndihmon në zgjidhjen e krizës dhe se mbështetet në Kushtetutë. Kjo bie në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese. Së pari është cenuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli. Sovraniteti i takon popullit e ushtron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Në këtë kuptim i ka hequr sovranit të jetë i tillë”,- tha Balla.

“Vlerësojmë se Presidenti po sillet me autoritet mbi kushtetutën e mbi sovranin. Kushtetuta nuk ia njeh të drejtën e shfuqizimit të dekretit, por vetëm të drejtën për të caktuar datën e zgjedhjeve”,- arsyetoi Balla.

Sipas tij, me këtë dekret Presidenti ka cenuar parimin i periodicitetit të zgjedhjeve.

“Kushtetuta parashikon se zgjedhjet zhvillohen në mënyrë periodike çdo 4 vjet. Kushtetutëbërësi kështu ka vendosur. Nëse zbatohet dekreti i Metës kemi të bëjmë me cenim të këtij parimi. Kushtetuta njeh shtyrje mandati për funksione administrative dhe gjyqësore, i vetmi rast ku nuk e lejon është për të zgjedhurit. Koncepti i periodicitetit është i materializuar edhe në Kodin Zgjedhor, ndaj Presidenti kishte caktuar datën 30 qershor. Edhe një ditë përtej mandatit të rrinë të zgjedhurit ata kthehen në pushtete pa mandat apo pushtete autoritare. Ushtrues pa tagra të një pushteti. Dekreti është në cenim të rëndë të Kushtetutës, e bën të pamundur qeverisjen e vendit”,- shtoi Balla.

Po sipas tij, “Është cnuar rëndë parimi i Kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Kushtetuta është ligji më i lartë në Shqipëri, ai ka vepruar përtej këtyre parimeve. Çdo vendimmarrje e Presidentit duhet të bëhet në përputhje me parimet Kushtetuese”.

“E drejta për të zgjedhur lirshëm është një e drejtë bazë. Nuk mund të kuptohet një shtet demokratik nëse nuk zhvillohen zgjedhje e s’ju jep shtetasve të tij të drejtën për tu zgjedhur.. Dekreti cenon rëndë këtë proces”,- vijoi ai.

“Duke shtyrë arbitrarisht datën e zgjedhje duke cenuar parimet e sipërpërmendura, e duke nxjerrë akte në kundërshtim flagrant me ligjet, vlerësojmë se këto përbëjnë shkelje shumë të rënda të Kushtetutës dhe në këtë mënyrë plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 90 pika 2, prandaj kërkojmë nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb