ELBASAN

Rreth 1300 abonentë janë përfitues të investimit të ri që OSHEE është duke kryer për rikonstruksionin e rrjetit TU me kabllo ABC në Elbasan. Investimi përfshin 23 kabina në një rrjet prej 41.6 km. Parashikohet gjithashtu përmirësimi i furnizimit me energji, minimizimi i defekteve dhe riparimi i tyre në kohë më të shkurtër.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla inspektoi ecurinë e punimeve në zonën e Godoleshit. Në fjalën e tij Balla theksoi se pas këtij investimi do të ndërhyhet për rikonstruksionin e rrjetit të ujit të pijshëm në këtë zonë.

“Është një investim i domosdoshëm dhe i kërkuar nga banorët prej shumë vitesh. Falë mirëadministrimit të OSHEE sot jemi në kushtet që kjo kompani po investon në çdo cep të Shqipërisë.

Viti 2021 është viti që kemi pikun më të lartë të investimeve ndaj dhe po investohet në këtë fshat duke zëvendësuar historitë e telave që këputeshin sa herë që binte borë dhe frynte erë.

Jemi në kushtet e një teknologjie moderne që e kanë edhe vendet europiane. Pas këtij investimi në Godolesh shumë shpejt do të nisim të investojmë për rrjetin e ujit të pijshëm”, deklaroi Balla.

Investimi parashikon uljen e nivelit të humbjeve në rrjet nga 40% në 14%. Ky investim ka impakt të mirë në mjedis dhe zhvillohet në fshatrat Godolesh, Labinot Katund, Guri i Zi, Balëz, Letan, Bradashesh, Shijon, Hajdaran, Mlizë, Shelcan etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb