Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka ironizuar LSI-në nga Belshi duke përmendur edhe liderin e PD, Lulzim Basha.

Balla thotë se në Belsh LSI ka shkuar në skrap, por nga 2017 për këtë është punuar edhe me Bashën që LSI të shkojë për skrap.

 

“Në Belsh, LSI ka shkuar tashmë për skrap. Të paktën për këtë kemi punuar me Lulzim Bashën që nga 2017, për ta çuar LSI-në për skrap.

Luli kur erdhi në qendër të Belshit i bëri thirrje popullit të Belshit “ta çojmë SHPK-në e Ilir Metës për skrap. LSI-ja, siç thotë Lulzim Basha është si ajo që ngjitet pas këpucës dhe këtë e ka artikuluar më së miri Lulzim Basha me thirrjen për t’u ndarë nga fenomeni LSI.’’- tha Balla.

Po ashtu ai ka kujtuar edhe rastin e ’21 janarit’ i cili nesër mbush 10 vjet nga ngjarja tronditëse duke akuzuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën për jetët e humbura.

“Mos harroni të kujtoni që Partia Demokratike me Sali Berishën dhe këtë kollovarin aktual, kanë vrarë për të mbajtur pushtetin.

Ne nuk duhet të harrojmë kurrë që nesër 10 vite më parë, Sali Berisha urdhëroi të qëllohej mbi popullin e vet dhe Lulzim Basha, si Ministër i Brendshëm i asaj kohe nuk mori asnjë përgjegjësi, madje u gradua nga Sali Berisha në krye të Bashkisë së Tiranës duke vjedhur votat.”- shtoi Balla.

 

Këtë ngjarje Balla e paralelizoi me rastin e Klodian Rashës, të riut që u vra nga polici duke theksuar se PS mbajti qëndrim të fortë, duke kërkuar drejtësi dhe ministri i brendshëm dha dorëheqjen sipas standardit të vendosur.

 

“Gjithë të rinjve e të rejave që këto u duken histori unë dua t’u them se Partia Socialiste e Shqipërisë, në rastin e vrasjes tragjike të Klodian Rashës, mbajti një qëndrim të fortë duke i kërkuar drejtësisë të bëjë drejtësi, dhe kjo e fundit po bën drejtësi. Por, edhe pse pa përgjegjësi direkte, ministri i Brendshëm dha dorëheqjen. Sepse ky është standardi i vendosur nga PS.

Kur Saliu urdhëronte dhe Basha ekzekutonte në 21 Janar 2011, Basha, jo vetëm që nuk mori asnjë përgjegjësi, jo vetëm që nuk shkoi kurrë para drejtësisë, por edhe u gradua.Pas 10 vitesh drejtësia nuk është vënë. Drejtësia nuk mund të mjaftohet me 2-3 gardistë që shkrepën këmbëzën ndërsa nuk u thirr ai që del në TV dhe deklaron se ka dhënë urdhërin për të qëlluar mbi popullin e tij.”- theksoi Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: