Sekretari i Përgjitshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka përkujtuar 20 Korrikun, Ditën e Veteranëve.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla thekson se 20 korriku është dita e nderimit dhe respektimit të veteranëve të luftës dhe pasardhësve të tyre. Sipas tij, një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar dhe liridashës.

“Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizanët shqiptarë, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, veteranët shqiptarë shumë të respektuar dhe pasardhësit e tyre”, shkruan Balla.

Postimi i plotë:

Sot më 20 Korrik, Shqipëria përkujton Ditën e Veteranëve, dita e nderimit dhe respektimit të veteranëve të luftës dhe pasardhësve të tyre.

Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar dhe liridashës. Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, partizanët shqiptarë, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, veteranët shqiptarë shumë të respektuar dhe pasardhësit e tyre.

Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, atyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë.

Shqipëria jonë e vogël u bë një aleate e madhe e koalicionit antifashist. E madhe për nga çmimi i jashtëzakonshëm i gjakut që pagoi dhe sakrificave të panumërta njerëzore.

Nderimi i këtyre sakrificave është në dinjitetin e çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i dëshmorëve dhe heronjve të kësaj Lufte, nderimi i çdo beteje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, më 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari.

Në emër të Partisë Socialiste dua t’i shpreh Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare vlerësimin tonë më të lartë për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë kjo Organizatë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin tek brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

Gëzuar Ditën e Veteranëve!?????

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb