TIRANË – Pse qeveria shqiptare nuk e ul çmimin e karburanteve, duke hequr taksat, ashtu siç kërkon PD-ja?

Deputeti socialist Taulant Balla, që e ka ngritur vetë këtë pyetje, ka bërë të ditur se njera prej atyre që duhet të hiqen është taksa ZEN, taksa e ngjyrosjes së naftës:

“Taksa quhet “ZEN”, – ka shpjeguar ai,- me nder emrin e të birit të atij që e vuri, që përfiton prej saj dhe që na e ka lënë në derë. Do thoni ju po pse nuk e hiqni? Sigurisht keni të drejtë. Por për heqjen e saj, ai që e ka firmosur këtë taksë (Sali Berisha), ka vendosur një klauzolë penaliteti me dhjetëra milionë euro. Pra, në rast se Qeveria shqiptare e prish këtë kontratë, Qeveria në arbitrazh detyrohet t’i paguajë kësaj kompanie një gjobë shumë të majme, të cilën kompania në fjalë do ta dëshironte.

Për ata që nuk e dinë, po ju kujtoj shumë shkurt. Në fund të mandatit të tij, Sali Berisha e ka vendosur taksën “ZEN” përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.200, datë 13.03.2013.

Kjo kontratë u ankimua në gjykatë me të ndryshuar qeverisja, – ka theksuar Balla, – por gjykata e la atë në fuqi. Qeveria do të duhet të gjejë mekanizma të tjerë për heqjen e kësaj takse të turpshme.”

Reagimi i Ballës ka ardhur pas akuzave të vazhdueshme të PD-së për rëndimin me taksa të karburanteve nga qeveria duke sjellë çmimin më të lartë në rajon. PD-ja gjithashtu ka njoftuar se të hën do të zhvillojë një protestë me makina, duke ndaluar qarkullimin për 5 minuta në orën 11:00.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb