ELBASAN– Deputeti i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetaret e bashkive të Librazhdit e Përrenjasit ka prezantuar përpara banorëve projektin e ujësjellësit, investim i qeverisë shqiptare së bashku me qeverinë gjermane. Qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë gjermane do të financojnë rikontruksionin total të rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimeve për të dy bashkitë. Faza e parë e këtij investimi kap vlerën e 7 milionë eurove: 4 milionë për bashkinë e Përrenjasit dhe 3 milionë për bashkinë e Librazhdit. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një impianti të përpunimit të ujërave të zeza, në mënyrë që këto të fundit të mos derdhen më në lumin Shkumbin.

“Ky është prezantimi i parë para banorëve i projektit të madh të një rikontruksioni total të të gjithë rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve për të dy bashkitë, Librazhd dhe Prrenjas.
Ky projekt vjen si bashkëpunim i qeverisë shqiptare, qeverisë gjermane dhe dy bashkive.
Faza e parë e këtij investimi kap vlerën e 7 milionë eurove. 4 milionë për bashkinë e Prrenjasit dhe 3 milionë për bashkinë e Librazhdit, për rikonstruksionin total të të gjithë tubacionit të ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza. Por lajmi i mirë për të gjithë ata që e duan mjedisin, është se këtu do të ndërtohet impianti përpunimit të ujërave të zeza dhe s’do të ketë më ujëra të ndotura që derdhen në lumin Shkumbin dhe më pas përfundojnë në detin Adriatik. Një pikë tjetër e përpunimit të ujërave të zeza do të jetë në Librazhd. Gjej rastin të falenderoj qeverinë gjermane për të gjithë mbështetjen e nevojshme që i ka dhënë qeverisë shqiptare. Por unë ndihem me fat edhe si Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, pasi në sajë të këtij bashkëpunimi mes qeverive tona përfitues janë bashkitë Prrenjas dhe Librazhd. Shpresoj që këtë herë çadra të mos bëhet xheloze si herën e kaluar e të thotë që Ministri i Jashtëm gjerman flet me vjershat që i shkruan Taulant Balla”- u shpreh deputeti Balla.

Kyetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira dhe Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra e vlerësuan këtë investim si më të rëndësishmin e financuar në 25 vitet e fundit në të dy bashkitë. Investimi, sipas tyre, do t’i shërbejë banorëve të të dy bashkive, përfshirë njësitë administrative, por do të ndikojë ndjeshëm në mbrojtjen e mjedisit.

Ata theksuan se ujërat e pastruara nga impianti i përpunimit të ujërave të zeza do të përdoren për vaditje, duke evituar ujin e ndotur që është përdorur deri tani, ndërsa falenderuan qeverinë shqiptare dhe atë gjermane për këtë financim.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: