TIRANE – Deputeti Taulant Balla tregoi në Kuvend dy foto, ku dukej kreu i PD-së Lulzim Basha dhe Jozefina Topalli me shtetasin Flamur Bega, i cili u arrestua pak ditë më parë, për shitje të minave me telekomandë.

“Flamur Bega është arrestuar për të gjitha minat me sahat të vendosura në këtë vend, e keni këtu me Bashën dhe Topallin, çfarë duhet të themi ne që bombat dhe minat me sahat i ka vendosur Basha dhe Jozefina në këto dy vitet e fundit”- tha Balla.

Deputeti Balla akuzoi opozitën se po bllokon punimet e Kuvendit, për të mos u hapur diskutimi për armën që deputeti Strazimiri mbante me vete në protestën tek liqeni. Sipas Ballës, është e papranueshme që vetë deputeti e pranoi se kishte armë, ndërsa partia e tij thotë se kishte me vete një këllëf celulari.

“Ju e tregoni fare mirë ku e keni hallin që bllokoni foltoren. Ku e keni Indiana Jones, ku e keni Gent Strazimirin e famshëm, deputeti i akuzuar për armëmbajtje pa leje, mbajtje të armës në tubime publike. Çfarë dorëzoi dje Strazimiri, pistoletën apo këllëfin e Ristanit. Si s’ju vjen një pikë turp, të dilni të dielen në darkë dhe në emër të PD-së të thoni se nuk ishte armë apo këllëf celulari. Ndërkohë që e gjithë Shqipëria e pa që ajo ishte armë. Sot kuvendi i Shqipërisë duhet të ndalet në këtë çështje. Nuk mund të krahasohet qiraja e një ambienti me armëmbajtje pa leje. Në rastin më të parë që një deputet i yni u akuzua për armëmbajtje pa leje, PS e përjashtoi. Përse nuk e përjashtoni ju Indiana Jones që fliste për dekriminalziimin. Sillni Strazimirin, përjashtoni Strazimirin dhe hajdeni.”- deklaroi Balla.

Sipas Ballës, opozita është urdhëruar të bllokojë foltoren, pasi “gjenerali ka hallin e Strazos. Gjenerali u thotë mos e lëshoni Strazimirin se po lëshuam njërin, ikëm të gjithë. Bllokimi i foltores së kuvendit është fyerja më e madhe që i bëni këtij tempulli të demokracisë”- u shpreh Balla.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: