Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njofton qytetarët e Elbasanit se ka nisur riparimi i rrugës së dëmtuar në Labinot Mal.

Balla shkruan në “Facebook” se ka inspektuar nga afër punimet së bashku me kryebashkiakun e ri të Elbasanit, Gledian Llatja.

Sipas Ballës, një pjesë e aksit rrugor Elbasan-Labinot Mal ishte dëmtuar për shkak të rrëshqitjes së tokës, duke u kthyer në një problem serioz për qarkullimin.

Mesazhi i Ballës:
Vijon puna intensive në shumë kantiere punësh publike në Elbasan. Ishim me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja në Labinot Mal, një njësi e madhe administrative e Elbasanit me shumë shtrirje dhe me shumë banorë. Dëmtimi i një pjese të aksit rrugor Elbasan-Labinot Mal për shkak të rrëshkitjeve të tokës ishte kthyer në problem serioz për qarkullimin. Shembja ndodhi në një kthesë të vështirë e të rrezikshme, në një gjatësi të konsiderueshme.

Duke u kërkuar ndjesë banorëve për vonesën, dua t’i informoj se nisëm këto ditë riparimin e pjesës së shembur, investim i cili konsiston në ngritjen e murit të rrugës në një gjatësi të konsiderueshme, bordurat mbrojtëse me të gjithë sistemin e sigurisë, zgjerimin dhe asfaltimin.

“Dëmtimi i kësaj rruge ka qenë një prej problemeve kryesore që e kemi ngritur prej kohësh sepse janë të shumtë banorët e gjithë Njësisë Administrative Labinot Mal që prekeshin nga mungesa e këtij aksi rrugor.

Sot jemi në prag të përfundimit të punimeve që kanë bërë të mundur, jo vetëm risistemimin, por edhe zgjerimin, dhe asfaltimin e kësaj pjese, e cila është një nga pjesët më të vështira.

Nëse do të vijohej të lihej në gjendjen që ishte rrezikohej, jo vetëm jeta e udhëtarëve, por edhe jeta e banorëve poshtë na Labinot Fushë sepse muri i gurit, në degradim e sipër, ishte shndërruar në një rrezik të madh për banorët”, u shpreha për mediat lokale.

Ky ishte një investim emergjent, por për Kryetarin e Bashkisë, investimet në të gjitha Njësitë Administrative do të jenë të vazhdueshme. Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u shpreh se:

“Jemi përpjekur të ruajmë balancën e investimeve në të gjitha Njësitë Administrative, jemi përpjekur të ofrojmë të njëjtin shërbim cilësie. Shembja e kësaj pjese të rrugës ishte bërë një problematikë shumë e madhe për të gjithë qarkullimin e zonës”.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb