Kompania “Rozafa” e cila prej dy vitesh operon në Elbasan, prej një jave tashmë ka çelur fabrikën e re të përpunimit të peshkut në qytetin e Prrenjasit. 200 gra dhe vajza janë punësuar ndërsa sipërmarrësi synon të zgjerojë aktivitetin e tij dhe të arrijë në 400 vende pune në Prrenjas

Kryetari i Grupit Parlamentar tw partisë Socialiste, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla sëbashku me kandidatin për kryetar bashkie në Prrenjas, Nuri Belba panë nga afër dhe kushtet e fabrikës e cila një muaj më parë ishte një ndërtesë e shkatërruar e lënë në harresë.

Balla gjatë inspektimit u interesua për nivelin e pagave në këtë sektor.

“Këto gra, brenda një jave që kemi filluar punë, kanë mbërritur në nivelin e minimumit të detyrueshëm për shtetin. Me fjalë të tjera, pas një muaji, paga këtu shkon 45-50 mijë lekë të reja” shpjegoi sipërmarrësi Gjergj Luca.

Z. Luca kishte pranë tij edhe partnerin italian i cili ndodhej në Shqipëri pasi ishte i shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe rriskun që mund të kishte investimi i tij.

“Në ’90 ne kemi dalë në rrugë dhe kemi kërkuar Shqipërinë si gjithë Europa.
Këta nuk kanë sy të shohin që Shqipëria ka 30 vjet që është në Europë? Me këto prodhime Shqipëria po shkon, jo vetëm në Europë, por në vendet nordike dhe jemi nga furnitorët kryesorë. Zotëria këtu është milanez dhe unë shkoj i lutem të vijë të investojë me mua në vendin tim. Por ai ka ardhur të shohë prodhimin e tij sepse është i shqetësuar, pasi sheh molotovë në rrugë. Kush i hedh këto molotovë? Unë kam një thirrje për të gjithë vëllezërit e mi që dalin në rrugë: “Kush do që Shqipërinë ta ketë si gjithë Europa duhet të punojë. Duhet të punojë për të forcuar familjen e vet, dinjitetin e vet”, tha Gjergj Luca.

Balla garantoi jo vetëm investitorët në fjalë, por të gjithë investitorët vendas e të huaj se investimet e tyre në Shqipëri, jo vetëm janë të sigurta, por qeveria do të vijojë t’i mbështesë dhe t’i nxisë të investojnë në vendin tonë dhe të krijojnë sa më shumë vende pune.

“Së pari garantoj të gjithë partnerët me të cilët ju punoni në çdo vend të Europës që Shqipëria është në stabilitet të plotë. Te jeni të sigurtë se përpjekja e disa politikanëve karrigethyer të cilët duan të krijojnë imazhin se në Shqipëri po ndodh hataja, është e dështuar.

Janë vetëm 5 mijë metra katror në bulevardin e Tiranës, një herë në javë, e cila është një peligrinazh i politikanëve të korruptuar që po bëjnë gjithçka për të penguar zhvillimin e vendit, rrugën europiane të Shqipërisë, e cila kalon përmes Reformës në Drejtësi. Dua ta garantoj partnerin tënd italian se investimi juaj i përbashkët këtu është i sigurtë.
Edhe një herë dua tju falenderoj për këtë dhuratë të çmuar që i bëtë Bashkisë Prrenjas, po të kemi parasysh që aktualisht janë 200 gra të punësuara dhe sipas asaj që më shpjeguat synimi është të arrijë në 400 vende pune.

Në 30 vitet që ju përmendët, nuk di që Shqipëria t’i ketë ndonjë borxh Ilir Metës. Unë di që Ilir Meta i ka borxhe Shqipërisë. Në këto 30 vite Ilir Meta i ka provuar të gjitha nga Shqipëria, ka qenë dy herë kryeministër, dy herë zv.kryeministër, dy herë ministër i jashtëm, kryetar parlamenti, president i republikës.

Po ashtu, nuk di çfarë borxhi i ka Shqipëria Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe bashkëshortes së Ilir Metës. Por këta të katërt i kanë hyrë në borxh Shqipërisë dhe prandaj Shqipëria në 30 Qershor do t’u japë një mesazh shumë të qartë.
Vota e 30 Qershorit është një votë për të vijuar me këtë që ju po bëni këtu, për të krijuar sa më shumë vende pune për qytetarët e këtij vendi që e shohin të ardhmen tek puna dhe jo tek dhuna” tha Balla.

Balla gjithashtu kërkoi nga kompania “Rozafa” që prodhimet të eksportohen me etiketën “Made in Prrenjas” për të lobuar kështu edhe për emrin e këtij qyteti./

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb