TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi i prerë se nuk ka negociata me askënd mbi kurrizin e Kushtetutës, duke iu referuar takimit të Presidentit me aleatët e PD dhe mundësisë për negociim mes palëve për zgjidhjen e krizës politike.

Në një deklaratë për mediat pas takimit ku u zyrtarizua koalicioni parazgjedhor ASHE, Balla tha se kjo aleancë do të fitojë zgjedhjet në të gjitha bashkitë.

“Në respekt të afateve të përcaktuara nga Kodi zgjedhor sot kemi përmbyllur me 23 parti një marrëveshje për krijimin e ASHE. Kemi ruajtur të njëjtin emër të koalicionit me të cilin kemi fituar zgjedhjet e 2013, 2015, 2017 dhe më të cilin do fitojmë edhe zgjedhjet e 2019 në të gjitha bashkitë e vendit. Kjo Aleancë është gjysma e partive që marrin pjesë në zgjedhje. Jam i sigurt se do ketë aleanca e koalicione të tjera në zgjedhje. Nuk kam asnjë koment lidhur me aleanca apo koalicione që ngrihen mbi parimin e kundërshtimit të votës së popullit. Duhet të jetë e qartë për këdo, zgjedhjet janë të popullit jo të partive. Partitë kanë për detyrë të marrin pjesë në zgjedhje. Njës parti që nuk merrpjesë në zgjedhje nuk mund të jetë parti politike”, tha Balla.

I pyetur nëse do të marrë PS pjesë në një tryezë të iniciuar nga President Meta, Balla theksoi se zgjedhjet e 30 qershorit do zhvillohen.
“Mandati i parlamentit është tejet legjitim. Do doja të përsërisja, ka qenë shumë i qartë qëndrimi i SHBA-ve përmes Palmer që ishte në Shqipëri para pak javësh, apo dhe qëndrimi i BE, i cili nxit të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Zgjedhjet janë të gjithëpranuara me këdo që merr pjesë dhe ajo që është shumë e rëndësishme, gjej rastin të ritheksoj dhe njëherë se nuk ka asnjë forcë politike që mund të tentojë të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira demokratike”, deklaroi socialisti Balla.

A do të ketë një 17 maj të dytë? Balla tha se afatet zgjedhore janë kushtëzuese.
“Unë nuk jam Nostradamus por di që në çdo rast afatet zgjedhore janë kushtëzuese. Kush mendon se mund të marrë pushtet në tavolinë, kush mendon se mund ta përdorë kushtetutën apo kodin zgjedhor si një alibi për humbjen e radhës e ka shumë gabim. Afatet e kodit zgjedhor dhe Kushtetutës janë shumë të qarta. Nuk ka negociata me askënd mbi kurrizin e Kushtetutës. Sikurse bënë gabimin e paimagjinueshëm për dorëzimin e mandateve të besuara nga populli, tani jemi në fazën që PD dhe LSI, Lulzimi dhe Monika duan që t’u heqin të drejtën qytetarëve për të votuar kryetarët e 61 bashkive dhe 61 kuvendet lokale të bashkive të vendit. Kjo nuk ka për të ndodhur. Zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen”, deklaroi Balla.

Ai përsëriti se kush dëmton procesin dënohet me burg. “Parashikimet e Kodit penal për ata që bllokojnë rrugë, pengojnë zgjedhësit të shkojnë në votim janë shumë të qarta dhe unë sa herë të komunikoj me ju, deri në 30 qershor do t’ua rikujtoj: Kush tenton të  pengojë zgjedhësit për të shkuar në votim apo kush tenton apo guxon të prekë një qendër votimi apo kutinë e votimit, dënimet shkojnë nga 5 deri në 8 vite burg”, u shpreh Balla.

Ndërkohë pyetjes se përballë kujt do konkurrojë ASHE në zgjedhje, Balla iu përgjigj: “Në zgjedhje partitë konkurojnë për të marrë besimin e popullit. Ne do të konkurrojmë për të rikonfirmuar besimin e marrë në 2017 tani për t’u rikonfirmuar në qeverisjen vendore. Janë 42 parti, monopol nuk ka. Merrni regjistrimet e partive politike në KQZ dhe pyetini ç’qëndrim kanë. Unë flas në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb