Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf.

Në një postim në “Facebook”, Balla thekson se i ka shprehur ambasadorit Zingraf vendosmërinë e PS për të krijuar një fazë të re bashkëpunimi me opozitën në funksion të axhendës integruese të vendit dhe të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.

Mesazhi i Ballës:

Kënaqësi të prisja në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf.
Në këtë fillim legjislature e informova Ambasadorin gjerman mbi objektivat tonë kryesorë në këtë mandat të tretë, ku natyrshëm objektiv kryesor është procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit i shpreha Ambasadorit vendosmërinë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të krijuar një fazë të re bashkëpunimi me opozitën në funksion të axhendës integruese të vendit dhe të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Me këtë rast falenderova në emër të Grupit Parlamentar ambasadorin Zingraf, mbi rëndësinë që Gjermania i kushton marrëdhënieve shumë të ngushta shumëplanëshe me Shqipërinë dhe mbështetjen e pakursyer për afrimin me familjen europiane, e cila u dëshmua edhe nga vizita e para pak javësh të Kancelares Gjermane në Tiranë, por edhe nga angazhimi i partive kryesore politike gjermane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb